Rusia i është përgjigjur me kundërshtim kërkesës që SHBA artikuloi një ditë më parë për të ndërprerë lidhjet tregtare dhe diplomatike me Korenë komuniste të Veriut pas testit të fundit që kjo e fundit kreu me lëshimin e raketës që u komentua si më errezikshmja e hedhur deri më sot.

Në reagimin e sotëm Moska ka bërë thirrje për negocime dhe ka akuzuar Washington-in se po kërkon të provokojë Phenianin.

“Opinioni ynë është negativ. Ne kemi theksuar shpeshherë se presioni i sanksioneve ka mbaruar dhe se të gjitha këto rezoluta që imponojnë sanksione kërkojnë domosdoshmërisht rifillimin e një procesi politik”, deklaroi ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, i cituar nga agjencitë ruse.

Washingtoni i ka kërkuar të gjitha vendeve të ndërpresin marrëdhëniet diplomatike dhe tregtare me Korenë e Veriut, duke kërcënuar se do të shkatërrojë regjimin koreanoverior në rast lufte.