Jetesa në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme. Të dhënat më të fundit nga INSTAT tregojnë se një familjeje i duhen mesatarisht 93 mijë lekë në muaj për të mbuluar shpenzimet bazë, ndërsa në Tiranë kjo shumë shkon në rreth 108 mijë lekë, dhe kjo është vetëm për mbijetesë, jo për mirëqenie.
Por një tjetër e dhënë interesante që del nga statistikat ka të bëjë me arsimin dhe sjelljen financiare të qytetarëve. Gjatë vitit 2024, familjet me kryefamiljar me arsim të lartë kanë shpenzuar më pak sesa vitin e kaluar, duke treguar kujdes të shtuar në menaxhimin e buxhetit.

Në kontrast, familjet me nivel arsimor të ulët kanë shpenzuar më shumë, ndoshta për shkak të mungesës së mundësive për të kursyer apo optimizuar shpenzimet.
Pedagogia e ekonomisë Morena Boja thotë se arsimimi nuk lidhet drejtpërdrejt me shpenzimet, por me mundësinë për të kursyer:
“Një familje pa arsim ka edhe të ardhura më të ulëta, ndaj dhe shpenzimet mund t’i ketë më të mëdha për shkak të pamundësisë për të kursyer. Ndërsa një familje me arsim të lartë, ka më shumë fleksibilitet për të menaxhuar të ardhurat,” – tha ajo në emisionin E-Zone në Vizion Plus.
Sipas Bojës, Tirana është bërë thuajse e papërballueshme për një individ me një pagë të vetme, sidomos me çmimet që rriten më shpejt se mesatarja e BE-së:
“Në Tiranë, një individi i duhen dy deri në tre paga, mbi nivelin minimal, për të jetuar në normalitet. Kryeqyteti është kthyer në barrë të rëndë për shumicën e familjeve.”
Ajo e konsideron gjithashtu taksimin e të dypunësuarve si një politikë të gabuar, që ndikon negativisht në standardin e jetesës dhe shton vështirësitë ekonomike.







