Nga Flamur Vezaj

Ish-presidenti Ilir Meta, tashmë i arrestuar dhe nën hetim për disa akuza të rënda nga SPAK, rezulton të ketë mohuar para prokurorëve një nga episodet kyçe të dosjes CEZ-DIA: lidhjen dhe udhëtimet e përbashkëta me biznesmenin Kastriot Ismailaj në Pragë, pikërisht në kohën kur po negociohej kontrata milionëshe për mbledhjen e borxheve të CEZ Shpërndarje.

Por versioni i Metës është rrëzuar nga dokumentet zyrtare të ardhura nga autoritetet çeke, dëshmitë e ish-ambasadorit Qazim Tepshi, të ish-zyrtarëve shqiptarë dhe materialet hetimore të administruara nga SPAK.

Sipas dosjes hetimore, Ilir Meta ka deklaruar para SPAK më 22 shkurt 2023 se nuk kishte udhëtuar ndonjëherë jashtë Shqipërisë me Kastriot Ismailajn për interesa të përbashkëta, duke pretenduar se “mund të kenë qenë në të njëjtin avion, por secili në punën e vet”. Por hetimet tregojnë të kundërtën.

Nga të dhënat e TIMS, rezulton se Meta dhe Ismailaj kanë udhëtuar bashkë drejt Pragës më 29 nëntor 2010 me të njëjtin fluturim të Austrian Airlines dhe janë kthyer bashkë më 2 dhjetor 2010. Sipas materialeve të ardhura nga Çekia, ata jo vetëm kanë qenë pjesë e të njëjtit delegacion, por kanë marrë pjesë së bashku në takimet zyrtare me drejtuesit e CEZ në Pragë.

SPAK thotë se Kastriot Ismailaj ishte prezantuar tek çekët si njeri i afërt dhe aleat i Ilir Metës, në atë kohë ministër i Ekonomisë dhe figurë kyçe e qeverisë shqiptare. Në dosje thuhet se pikërisht ndikimi politik i Metës dhe mbështetja e tij kanë bërë të mundur që kompania DIA e Ismailajt të merrte kontratën për mbledhjen e borxheve të CEZ Shpërndarje.

Një nga provat më të forta është dëshmia e ish-drejtuesit çek Josef Hejsek në Arbitrazhin e Vjenës thuuhet te dosja që “Ma Shqip” e disponon. Ai deklaron se qeveria shqiptare kishte sugjeruar Kastriot Ismailajn si personin që duhej të merrej me mbledhjen e borxheve dhe se ambasadori shqiptar në Pragë, Qazim Tepshi, pas konsultimeve me Ilir Metën, e kishte prezantuar Ismailajn si “aleat të ngushtë të Ministrit të Jashtëm dhe Kryeministrit Berisha”.

Në atë kohë, Kastriot Ismailaj nuk mbante asnjë post shtetëror, nuk ishte këshilltar dhe nuk kishte asnjë funksion publik. Megjithatë, sipas dokumenteve të ambasadës shqiptare në Pragë, ai është futur në delegacionin zyrtar që shoqëronte Ilir Metën gjatë vizitës në Çeki.

Hetimet tregojnë se Meta jo vetëm e favorizoi Ismailajn tek drejtuesit e CEZ, por i dha atij peshë politike dhe besueshmëri si “njeri i qeverisë shqiptare”, duke ushtruar ndikim që DIA të merrte kontratën milionëshe.

Këto pretendime përforcohen edhe nga dëshmitë e ish-këshilltarit Ilir Ciko, i cili ka pranuar se në takimin me drejtuesit e CEZ në Pragë kanë qenë të pranishëm Ilir Meta, Qazim Tepshi, Kastriot Ismailaj dhe zyrtarë të tjerë shqiptarë.

Edhe dëshmia e Sokol Hysenajt konfirmon se ish-ambasadori Qazim Tepshi i kishte treguar se gjatë vizitës së Metës në Çeki ishte i pranishëm edhe Kastriot Ismailaj dhe se në takime ishte diskutuar pikërisht çështja CEZ.

Një tjetër element që ngre dyshime të forta për SPAK është fakti se menjëherë pas kthimit nga Praga, kompania DIA e Ismailajt lëshoi faturë ndaj CEZ Shpërndarje në vlerën mbi 69 milionë lekë. Vetëm pak ditë më pas, CEZ transferoi shumën në llogaritë e DIA-s.

Sipas hetimeve, kjo nuk konsiderohet rastësi, por pjesë e një skeme të mirëorganizuar ku ndikimi politik i Metës dyshohet se është përdorur për të favorizuar Ismailajn në këmbim të përfitimeve të parregullta.

Në dosjen hetimore përmendet gjithashtu edhe një SMS komprometuese e dërguar nga Ilir Meta tek Kastriot Ismailaj në vitin 2009, ku sipas SPAK, Meta i kërkonte 200 mijë euro.

SPAK dyshon se marrëdhënia mes Metës dhe Ismailajt nuk ishte thjesht politike apo miqësore, por një bashkëpunim i strukturuar për të kontrolluar kontratën e mbledhjes së borxheve të CEZ në Shqipëri, në një kohë kur shteti shqiptar zotëronte 24% të CEZ Shpërndarje dhe Ministria e Ekonomisë kishte rol kyç në vendimmarrje.

Pikërisht për këtë arsye, prokurorët dyshojnë se Ilir Meta ka përdorur pushtetin, ndikimin politik dhe institucionet shtetërore për të imponuar Kastriot Ismailajn tek çekët si “mbledhësi i preferuar i borxheve”, ndërsa më pas ka tentuar të mohojë gjithçka para hetuesve.