Individët që japin apartamente me qira ditore në platforma si Airbnb dhe Booking nuk kanë detyrim të hapin NIPT, por duhet të deklarojnë të ardhurat përmes DIVA dhe të paguajnë një tatim 15%.
Administrata Tatimore ka sqaruar se, nëse individët nuk ushtrojnë aktivitete tregtare të tjera, ata nuk janë të detyruar të regjistrohen për qiradhënie, por duhet të deklarojnë të ardhurat vjetore nga qiratë. Tatimi i paguar për këtë shumë do të jetë 15% dhe duhet të bëhet përmes Deklaratës Vjetore Individuale të të Ardhurave (DIVA) para datës 31 mars të vitit pasardhës.
Çdo tatimpagues/individ që realizon të ardhura me burim në territorin e Republikës së Shqipërisë, mbart detyrimin ligjor të deklarimit të tyre dhe të pagesës së tatimit për çdo të ardhur të realizuar sipas dispozitave rregulluese në fuqi, shkruan monitor. Verifikimi i vetëdeklarimeve të tatimpaguesit është atribut i administratës tatimore dhe bëhet nëpërmjet ushtrimit të kontrolleve dhe vlerësimeve të deklarimeve të bëra.
Referuar dispozitave ligjore në fuqi, dhe konkretisht nenit 15, pika 1, germa dh) të, Ligjit Nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, konsiderohen si të ardhura nga investimet të ardhurat e realizuara nga qiraja e pasurive të paluajtshme, që nuk janë të ardhura biznesore”, sqarohet në dokumentin e tatimeve.
Sistemi i ri përfshin gjithashtu një detyrim për individët që kanë realizuar të ardhura mbi 50 mijë lekë gjatë vitit, por nuk kanë paguar tatimin në burim. Ky ndryshim, që ka hyrë në fuqi për vitin 2024, synon formalizimin e këtij aktiviteti dhe parandalimin e evazionit fiskal.
Në muajin qershor të këtij viti, në Shqipëri ishin të regjistruara 21,447 apartamente dhe vila në Airbnb, një rritje prej 39% krahasuar me vitin e kaluar. Ky rritje ka nxitur administratën tatimore të ndërmarrë masa për identifikimin dhe fiskalizimin e këtij aktiviteti.






