Situatë tronditëse në QSUT

Mungesa e medikamenteve jetike në spitalin Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” vijon të mbetet një shqetësim serioz për pacientët që po përballen çdo ditë me sëmundje të rënda tumorale. Aktualisht raportohen të paktën gjashtë barna të rëndësishme që nuk janë të disponueshme, duke vështirësuar ndjeshëm trajtimin e të sëmurëve me kancer.

Bëhet fjalë për medikamente që përdoren kryesisht në trajtimin e kancerit të gjirit, por edhe në forma të tjera të kësaj sëmundjeje. Ndër barnat që mungojnë në spital përmenden Phesgo, Cetuximab, Abirateron, Erlotinib, Irinotecan dhe Acidi Folinik, të cilat janë pjesë thelbësore e skemave të kimioterapisë dhe trajtimeve të targetuara.

Sipas raportimeve nga terreni, disa prej këtyre medikamenteve kanë rreth dy muaj që nuk janë në dispozicion, ndërsa të tjerat mungojnë prej të paktën një muaji. Kjo situatë po krijon vështirësi të mëdha për pacientët, të cilët mbeten në pritje të trajtimit të rregullt ose detyrohen të kërkojnë alternativa.

Gazetari Osman Stafa bëri me dije se mungesa e barnave ka ndikuar drejtpërdrejt në procesin e trajtimit. Sipas tij, mjekët kanë kërkuar që pacientët të kalojnë në linja të tjera terapie, por protokollet mjekësore nuk e lejojnë një ndryshim të tillë vetëm për shkak të mungesës së medikamenteve.

Ai theksoi gjithashtu se ndër barnat që mungojnë ka edhe të tilla që përdoren për trajtimin e kancerit të zorrës së trashë, të stomakut dhe në raste të caktuara të mushkërisë, duke e bërë situatën edhe më shqetësuese për pacientët që presin trajtim të vazhdueshëm.

Mungesa e këtyre medikamenteve jetike ka ngritur shqetësime të forta për vazhdimësinë e trajtimit të pacientëve onkologjikë dhe për garantimin e kujdesit shëndetësor në kohë për një nga kategoritë më të ndjeshme të të sëmurëve në vend.