793 mijë € për mobilimin e BKH-së
Nga redaksia Publik.al
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka hapur një tjetër tender me vlerë të lartë, këtë herë për mobilimin e godinës së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Sipas dokumenteve zyrtare, fondi limit i procedurës është 793 mijë euro, ndërsa përfshin një listë të gjerë blerjesh: tavolina pune, kolltuqe, dollapë, rreth 3939 metra katror perde me mekanizëm, si dhe 242 karrige me rrota e 12 dollapë zhveshjeje.
Procedura e prokurimit është shpallur më 24 shtator 2025 dhe do të mbyllet më 24 tetor 2025. Përgjegjës për tenderin janë Lulzim Mata, ish-zyrtar i Autoritetit Rrugor të Shqipërisë, tashmë në strukturat e SPAK, dhe Laureta Binaj, kancelare e institucionit dhe bashkëshortja e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Binaj.
Një kompani e vetme për gjithë mobilimin
Ndryshe nga praktika standarde e ndarjes së tenderëve në lote, SPAK ka zgjedhur ta zhvillojë procedurën në një të vetme, duke i dhënë një kompanie të vetme ekskluzivitetin për mobilimin e gjithë objektit.
Në dokumentet e tenderit, kjo justifikohet me “nevojën për koherencë estetike dhe përgjegjësi të qartë teknike”, një argument që në praktikë redukton konkurrencën dhe ngre dyshime për favorizime të mundshme.
Historia e tenderëve të mëparshëm
Ky investim vjen pas një serie procedurash të dështuara për rikonstruksionin e brendshëm të godinës së BKH-së, që u anulua dy herë për mungesë ofertash. Në fund, në dhjetor 2024, kontrata u fitua nga një bashkim kompanish i kryesuar nga “2T”, me ofertë 3.71 milionë euro, duke lënë pas “ULZA sh.p.k.” të vëllezërve Shpani.
Godina që po kushton gjithnjë e më shumë
Objekti që sot përdoret nga BKH-ja u ndërtua me kosto fillestare mbi 4 milionë euro, në një pronë të dhënë nga Bashkia e Tiranës përmes një marrëveshjeje me Ministrinë e Drejtësisë. Pas kalimit në administrimin e SPAK-ut, qeveria ka miratuar disa buxhete shtesë për rikonstruksione, pajisje dhe siguri fizike, përfshirë ndërtimin e një tuneli mbi-tokësor që do të lidhë drejtpërdrejt zyrat e BKH-së me Prokurorinë e Posaçme.
Në total, vetëm gjatë dy viteve të fundit, shpenzimet për përshtatjen dhe mobilimin e godinës së BKH-së pritet të kapin rreth 9 milionë euro një shumë që e kthen ndërtesën e hetuesisë elitare në një nga investimet më të kushtueshme publike për metër katror në administratën shqiptare.






