Administrata Tatimore ka paralajmëruar se nga muaji tetor 2025 do të hyjë në fuqi një Plan Operacional i posaçëm për sektorin e ndërtimit, i cili synon rritjen e monitorimit dhe kontrollit mbi këtë industri ku lëvizin shuma të mëdha parash dhe ku abuzimet fiskale janë të shpeshta. Një nga elementët që pritet të vihet në fokus është edhe përdorimi i kleringut si mjet transaksionesh, një praktikë shpesh e dyshuar për shmangie tatimore.

Pas turizmit, radha i kalon ndërtimit

Plani vjen menjëherë pas përfundimit të fushatës së ngjashme për sektorin e turizmit, ku Tatimet u përqendruan tek formalizimi i subjekteve dhe rritja e të ardhurave. Në dokumentin zyrtar, për turizmin u vendosën objektiva konkrete:

  • Rritje 20% e të ardhurave nga TVSH me normën e reduktuar 6%;
  • Rritje 10% e numrit të tatimpaguesve të regjistruar me TVSH në turizëm;
  • Formalizimi i stacioneve të plazhit (çadra, shezllone, etj.) pa kontratë;
  • Monitorim me bazë risku, duke analizuar tatimpaguesit me sjellje devijuese si deklarata zero, rënie të theksuar të xhiros apo përsëritje të vonesave në pagesa.

Gjithashtu, në qershor 2025 u miratuan pagat referencë për 45 profesione në turizëm, ku një kamerier nuk mund të paguhet më pak se 70 mijë lekë, ndërsa paga për kryekuzhinierët arrin deri në 140 mijë lekë.

Çfarë pritet për ndërtimin

Sektori i ndërtimit, që prej vitesh shihet si një ndër motorët e pastrimit të parave në Shqipëri, do të kalojë në një sitë më të imët fiskale. Plani i Tatimeve parashikon:

Kontrolle më të shpeshta financiare, sidomos për transaksionet e mëdha;

Verifikimin e përdorimit të kleringut, për të parandaluar fshehjen e qarkullimeve reale;

Analizë të riskut fiskal për subjektet që deklarojnë xhiro fiktive ose numër të ulët punonjësish krahasuar me aktivitetin real.

Ky operacion do të nisë pas një faze njëmujore informimi dhe komunikimi publik, ku Drejtoria e Tatimeve do të bëjë transparente objektivat dhe metodat e reja të kontrollit.

Me këtë lëvizje, qeveria synon të japë mesazhin se formalizimi nuk do të kufizohet më vetëm tek bizneset e vogla apo turizmi, por do të prekë edhe sektorin më të madh dhe më të dyshuar për evazion fiskal: ndërtimin.