Për të blerë një apartament duhen 19 paga vjetore

TIRANË – Të blesh një apartament në kryeqytet është kthyer në një mision të pamundur. Çmimet e banesave janë rritur me ritme të frikshme, ndërsa pagat nuk kanë ndjekur të njëjtin hap. Rezultati? Një familjeje i duhen sot gati 19 paga vjetore bruto për të siguruar një shtëpi në Tiranë – 6 vite më shumë se një dekadë më parë, duke e bërë kryeqytetin shqiptar rekorder negativ në Europë.

Në vitin 2014, për një apartament 70 m² duheshin rreth 13 vite punë. Sot, e njëjta madhësi kushton mbi 147 mijë euro, trefishi i çmimit të dhjetë viteve më parë. Edhe pse paga mesatare mujore ka arritur në 77.5 mijë lekë, fuqia reale blerëse është tkurrur nga inflacioni dhe shtrenjtimi i jetesës.

Shkaqet e shtrenjtimit

Ndër faktorët që kanë shtyrë çmimet drejt tavanit përmenden rritja e kostove të ndërtimit, taksat e reja të Bashkisë, rritja e çmimeve të referencës dhe përqindja e sipërfaqes që u jepet pronarëve të tokës. Por më i rëndësishmi mbetet ekonomia informale dhe paratë e pastrimit, që kanë ndezur kërkesën artificiale për apartamente. Një tjetër nxitje është kthimi i Shqipërisë në destinacion turistik, duke tërhequr blerës të huaj, sidomos në zonat bregdetare.

Shqipëria, jashtë çdo krahasimi

Nëse në Amsterdam duhen 15 paga vjetore për të blerë një apartament, në Athinë 15.3 dhe në Pragë 15, në Tiranë duhen 19 vite punë me pagën reale – më shumë se kudo tjetër në kontinent. Sipas “Numbeo”, Shqipëria kryeson listën europiane për pamundësinë e blerjes së një banese, duke lënë pas edhe kryeqytetet me tregje të stërshtrenjta si Londra apo Parisi.

Pasoja sociale

Në praktikë, kjo do të thotë se të rinjtë dhe familjet e reja janë gjithnjë e më të përjashtuara nga tregu i banesave. Për shumicën, alternativa mbetet qiraja afatgjatë ose emigracioni, ku mundësitë për strehim janë më reale. Tirana, ndërkohë, po shndërrohet në një qytet të betonuar për pakicën me para të pista, ndërsa shumica e qytetarëve jetojnë me ëndrrën e parealizuar për një strehë të tyre.