Një ngjarje tronditëse është regjistruar mbrëmjen e së dielës në Podujevë, ku një konflikt mes një çifti ka përfunduar në mënyrë tragjike, me dy viktima.

Sipas raportimeve paraprake, 45-vjeçari Ilaz Brahimi, banues në Obiliq, dyshohet se është qëlluar për vdekje me armë zjarri nga 31-vjeçarja Ardita Gashi, me të cilën kishte një lidhje prej kohësh. Burimet mediatike bëjnë me dije se marrëdhënia mes tyre kishte hyrë në krizë dhe ishte drejt përfundimit.

Dyshohet se autorja e ka ftuar viktimën në banesën e saj në fshatin Majac dhe më pas ka qëlluar disa herë në drejtim të tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Pas të shtënave, në vendngjarje ka mbërritur edhe një familjare e autores së dyshuar, Miradije Gashi, e cila mbeti e plagosur rëndë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo nuk arriti të mbijetojë dhe ndërroi jetë në spital.

Forcat e policisë kanë ndërhyrë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa 31-vjeçarja është shoqëruar dhe po merr trajtim mjekësor. Sipas burimeve spitalore në QKUK, ajo ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nën kujdesin e mjekëve.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë vijojnë.