Ligjvënësit britanikë reaguan me zemërim të mërkurën lidhur me ripostimin nga presidentit Donald Trump të disa videove anti-myslimane të postuara fillimisht nga një udhëheqëse britanike e ekstremit të djathtë, e cila është dënuar më parë për gjuhën e urrejtjes.
Disa ligjvënës i bënë thirrje Kryeministres Theresa May të anulojë një “vizitë pune” të planifikuar nga presidenti Trump për vitin e ardhshëm.
“Ai nuk është aleat ose mik i yni”, tha ligjvënësi laburist David Lammy, i cili shtoi se presidenti i SHBA nuk është i mirëpritur në Britani.
Zëdhënësi i Kryeministres May tha se zoti Trump “gaboi” me ripostimin e videove. “Britanikët kundërshtojnë në shumicë të madhe retorikën plot paragjykime të së djathtës ekstreme, e cila është antiteza e vlerave që ky vend përfaqëson – mirësjellje, tolerancë dhe respekt. Është gabim që presidenti e bëri këtë,” tha ai.
Edhe politikanët britanikë që normalisht janë pro zotit Trump e kritikuan Presidentin amerikan për ripostimin e videove të zonjës Jayda Fransen, nënkryetare e grupit të ekstremit të djathtë anti-emigrant “Britania e Para”, e cila kërkon kthimin e “vlerave tradicionale britanike” dhe fundin e “islamizimit.”
Një postim i tretë shoqërohet me mesazhin: “Turma islamike shtyn djalin adoleshent nga çatia dhe e rreh për vdekje!”
Fransen ka pasur disa përplasje me policinë për gjuhën e urrejtjes, ashtu si edhe udhëheqës të tjerë të grupit Britania e Para, të cilët janë akuzuar për provokime fetare.






