Një tragjedi e rëndë ka tronditur Vjenë, konkretisht zonën e Alsergrund, ku katër punëtorë humbën jetën pas shembjes së një skelë ndërtimi në një kantier në rrugën Porzellangasse.

Ngjarja ndodhi gjatë orarit të punës, kur një pjesë e konstruksionit u rrëzua papritur, duke zënë poshtë punëtorët. Ata mbetën të bllokuar nën rrënoja dhe beton ende të pangurtësuar, çka e bëri ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit jashtëzakonisht të vështirë.

Tre prej viktimave janë identifikuar si shtetas nga Kosova: Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj, ndërsa viktima e katërt ishte një punëtor me origjinë nga Bosnja. Ndërkohë, një tjetër i plagosur rëndë, që dyshohet të jetë nga Maqedonia e Veriut, ndodhet në trajtim mjekësor në një spital në Vjenë.

Sipas dëshmive të banorëve të zonës, momentet e aksidentit kanë qenë dramatike. Fillimisht është dëgjuar një zhurmë e fortë, e ndjekur nga britmat e punëtorëve dhe më pas sirenat e emergjencës që mbërritën në vendngjarje.

Operacioni i shpëtimit u përball me vështirësi të mëdha për shkak të hapësirës së kufizuar në oborrin e ndërtesës. Ekipet u detyruan të krijonin hyrje të reja duke hequr pengesa si gardhe dhe dyer, ndërsa paralelisht largonin mbetjet e skelës dhe armaturat metalike. Një nga sfidat më të mëdha ishte heqja e betonit ende të lëngshëm, e cila u realizua manualisht.

Në vendngjarje u angazhuan rreth 120 efektivë dhe afro 30 mjete të zjarrfikësve dhe mbrojtjes civile. Fillimisht u nxorën dy prej punëtorëve, por fatkeqësisht pa shenja jete. Pas rreth dy orë e gjysmë ndërhyrjeje intensive, edhe dy viktimat e tjera u nxorën nga rrënojat, duke e çuar bilancin në katër të vdekur.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri konfirmoi identitetin e tre viktimave nga Kosova dhe shprehu ngushëllime për familjarët, duke bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake për ndjekjen e rastit dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në komunitetin shqiptar në Austri dhe më gjerë, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe përgjegjësitë e këtij aksidenti fatal.

Një detaj prekës është se një prej viktimave, Asllan Musliu, ishte veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i përfshirë gjatë luftës në operacionin “Shigjeta”.