Një konflikt i rëndë familjar, i shpërthyer pas vrasjes mafioze të Muçi Shaljanit alias Sheqerit, ka çuar në arrestimin e vëllait të tij, Shemsi Shaljani, nën akuzën e dhunës në familje.

Sipas të dhënave, 40-vjeçari dyshohet se ka ushtruar presion dhe kërcënime ndaj bashkëshortes së vëllait të ndjerë, duke pretenduar pronësinë mbi një objekt katërkatësh dhe dy ambiente bar-kafe, të cilat administroheshin nga Muçi Shaljani para se të ekzekutohej.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se Shemsi Shaljani ka goditur derën e banesës së gruas së të ndjerit dhe e ka kërcënuar për jetën, në një përplasje që lidhet drejtpërdrejt me pasuritë e lëna pas nga viktima. Pas denoncimit, policia ka sekuestruar pamjet filmike të zonës dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Gjykata e Tiranës ka vendosur më 16 mars masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Shemsi Shaljanit, ndërsa hetimet po vijojnë për të sqaruar të gjithë rrethanat e konfliktit.

Përplasja për pronën ka nisur pas vrasjes së Muçi Shaljanit, i cili mbeti i ekzekutuar më 11 nëntor 2025 pranë aeroportit të Rinasit, në një atentat mafioz ku humbi jetën edhe Gilmando Dani. Pas kësaj ngjarjeje, bashkëshortja e Shaljanit ka kallëzuar se familjarë të bashkëshortit të saj kishin nisur pretendime mbi banesën dhe lokalet, duke krijuar tensione të vazhdueshme që më pas degraduan në kërcënime dhe veprime të dhunshme.

Në të njëjtën kohë, atentati që i mori jetën Muçi Shaljanit dhe Gilmando Danit vijon të jetë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.

Paralelisht, emri i Muçi Shaljanit është përmendur edhe në një tjetër çështje të rëndë, atë të punësimit të tij të paligjshëm si agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Për këtë dosje janë marrë të pandehur ish-drejtori i komanduar i AMP-së, Artion Saliasi, si edhe drejtori i burimeve njerëzore, Gëzim Sala, të dyshuar për shpërdorim detyre.