Mes tyre 7 të mitur

Pas protestës së zhvilluar një ditë më parë nga opozita në Tiranë, autoritetet kanë ndërmarrë një valë arrestimesh dhe procedimesh penale ndaj pjesëmarrësve të përfshirë në incidentet e dhunshme.

Sipas burimeve policore, 21 protestues janë arrestuar, ndërsa mes tyre rezultojnë edhe 7 të mitur.

Në listën e të arrestuarve përfshihen shtetasit Kreshnik Çeço, Klodian Bajrami, Leonid Tusha, Klejdi Subashi, Suzana Dimushi, Ramazan Nuhu, Florian Nuhu, Daniel Zeka, Andrea Kulla, Fabiol Ahmeti, Geraldo Demiraj, Danjel Kulla, Artur Kadria dhe Arbri Ujkaj, si dhe disa persona të tjerë, përfshirë edhe të mitur.

Nga ana tjetër, në hetim në gjendje të lirë janë vendosur sekretari organizativ i Partisë Demokratike, Ervin Minarolli, si dhe deputetët Belind Këlliçi, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Luan Baçi. Ndaj tyre rëndojnë akuza që lidhen me kundërshtimin e forcave të rendit dhe shtytjen e të miturve në vepra penale.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, arrestimet janë kryer në vijim të veprimeve hetimore të ndërmarra për protestën e 10 shkurtit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Të ndaluarit akuzohen për një sërë veprash penale, përfshirë goditje për shkak të detyrës, plagosje të rëndë me dashje, prishje të rendit dhe qetësisë publike, shkatërrim prone me zjarr dhe kundërshtim të punonjësve të policisë.

Gjatë tubimit, protestuesit u mblodhën fillimisht para Kryeministrisë dhe më pas u zhvendosën drejt Kuvendit, ku u hodhën mjete piroteknike, molotovë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve dhe institucioneve shtetërore. Si pasojë e përplasjeve, 16 punonjës policie mbetën të lënduar dhe morën ndihmë mjekësore në spital, ndërsa ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia bëri me dije se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 22 molotovë të pashpërthyer dhe tre shishe me lëndë djegëse të dyshuara si benzinë, të gjetura pranë Kuvendit. Një person është shpallur në kërkim, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktet e dhunshme.