Kur vjen fundi i muajit, më shumë se gjysma e shqiptarëve thonë se nuk ia dalin dot. Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, rreth 55% e qytetarëve në Shqipëri e përjetojnë jetesën “me vështirësi” ose “me shumë vështirësi”, një përqindje që e rendit vendin të dytin në Europë për ndjenjën e varfërisë.
Në krahasim, vetëm 17.4% e europianëve ndihen të varfër. Në rajon, më pak se gjysma e serbëve, malazezëve dhe maqedonasve raportojnë të njëjtën gjë. Por shqiptarët, edhe pse jo gjithmonë të varfër sipas të ardhurave, ndihen shumë më keq se ç’janë realisht.
Ky tregues i ri, që quhet “varfëri subjektive”, mat perceptimin personal të njerëzve për aftësinë e tyre për të përballuar shpenzimet e përditshme, pra ndjenjën e pasigurisë ekonomike, më shumë sesa shifrat në letër.
Sipas përkufizimit të Eurostat, në këtë kategori përfshihen familjet që thonë se jetesa është “me vështirësi” ose “me shumë vështirësi”. Dhe në këtë grup, shqiptarët janë pothuaj në majë të listës europiane, menjëherë pas grekëve, ku 67% e popullsisë ndien të njëjtin realitet të zymtë.
Krahasuar me varfërinë “zyrtare”, diferenca është e madhe. Në Shqipëri, vetëm rreth 20% e popullsisë konsiderohet e varfër sipas të ardhurave, por perceptimi i varfërisë kalon 50%. Me fjalë të tjera, shqiptarët ndihen trefish më të varfër se ç’janë realisht.
Të dhënat e INSTAT për vitin 2024 tregojnë se 19.2% e popullsisë është në rrezik varfërie, ndërsa 40.5% e shqiptarëve përfshihen në “rrezik përjashtimi social”, pra kanë mungesa materiale, të ardhura minimale ose jetojnë në familje ku askush nuk punon.
Në BE, një në gjashtë qytetarë deklaron se e ka të vështirë ta mbyllë muajin. Në vendet më të pasura, si Holanda e Gjermania, vetëm 7% e njerëzve ndihen të tillë, ndërsa në vendet e goditura nga krizat, si Greqia e Bullgaria, shifrat ngjiten mbi 35%.
Ekspertët thonë se varfëria subjektive është më shumë një tregues pasigurie dhe zhgënjimi, sesa thjesht mungesë parash. Ajo lidhet ngushtë me çmimet, borxhet, standardin e jetesës dhe ndjenjën se “të tjerët jetojnë më mirë”.






