Në tabelën finale të buxhetit të vitit të shkuar mungojnë 240 milionë Dollarë të ardhura, faturë e cila ka ulur shpenzimet në mënyrë që të mos ketë rritje të defiçitit në buxhet dhe borxhit publik.
Për ekonomistin Zef Preçi, të gjithë parametrat e realizimit të të ardhurave nga tatimet dhe doganat vijnë si pasojë e dy faktorëve: ngadalësim i rritjes ekonomike dhe planifikim optimist.
Ajo që vihet re nga ekspertët, është fakti se nga tatimet e doganat nuk janë realizuar 165 milionë Dollarë, dhe po kjo shifër është hequr nga investimet publike, i vetmi zë në buxhet i cili sjell përfitime ekonomike dhe fokusohet te shërbimet e qytetarëve.
Ekspertët hedhin poshtë faktin se tërmeti solli një rënie të të ardhurave në buxhet, por shtojnë se muajin e fundit performanca e mbledhjes së tatimeve ishte më e dobët.
Ata sugjerojnë të ndërmerren politika në shtimin e investimeve të huaja, hapjen e vendeve të reja të punës dhe ndërtime në infrastructure, me qëllim inkurajimin e popullsisë dhe specialistëve që të mos largohen nga Shqipëria.






