Projekti dhe ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës është kthyer në një nga dosjet më të nxehta në Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku nën hetim janë zyrtarë të lartë dhe ish-drejtues institucionesh për favorizim në tendera.
Sipas të dhënave, për një segment prej vetëm 27 kilometrash janë shpenzuar rreth 450 milionë euro, ndonëse kostoja fillestare ishte parashikuar 290 milionë euro. Diferenca prej 160 milionë eurosh ka ngritur dyshime për fryrje kostosh dhe keqmenaxhim fondesh.
Rruga e re, por shpenzimet vazhdojnë
Edhe pse segmenti është hapur për qarkullim vetëm vitin e fundit, shpenzimet nuk kanë ndalur. Fillimisht ishte Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) që akordoi shtesa kontratash për firmat ndërtuese, për punime që duhej të ishin pjesë e projektit fillestar “me çelësa në dorë”.
Së fundmi, një tjetër procedurë është hapur nga Bashkia e Tiranës, konkretisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, për “materiale për mirëmbajtjen e sinjalistikës Unaza e Madhe”.
Fondi limit i kësaj procedure është 60.088.333 lekë pa TVSH, ose rreth 623 mijë euro.
Çfarë parashikon tenderi i ri?
Në dokumentacion parashikohen:
-
Mjete sinjalizimi për kryqëzime dhe ndarje korsish
-
Struktura antizhurmë prej çikllasi
-
Tabela informative me bazament ose murale
-
Reflektorë asfalti dhe pllaka fosforeshente
-
Mbrojtëse metalike rrugore
-
Panele për mbrojtje nga zhurma
-
Barrierë me tuba dhe ishuj trafiku amortizues

Ndërkohë, projekti i Unazës së Madhe vijon të mbetet nën hetim në SPAK, teksa institucionet e ndryshme po ndërhyjnë për të “mbushur boshllëqet” e lëna nga ndërtimi dhe mbikëqyrja.
Rasti ngre pikëpyetje të forta mbi menaxhimin e fondeve publike dhe standardin e zbatimit të një prej projekteve më të kushtueshme infrastrukturore në vend.






