Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar me tone të forta ndaj deklaratave optimiste të qeverisë për ekonominë, duke i cilësuar si “propagandë e paketuar bukur për televizion”.
“Sot qeveria që gjithë ditën fabrikon shifra dhe merret me propagandë, ankohet pse i referohemi Eurostatit,” u shpreh Tabaku, duke kujtuar se raporti i Eurostat është “pasqyra e zymtë” që rrëzon çdo slogane suksesi.
Sipas saj, 55% e shqiptarëve nuk e mbyllin dot muajin, ndërsa 40% e buxhetit familjar shkon vetëm për ushqim. Të ardhurat po bien, çmimet po rriten dhe taksat po rëndohen, një realitet që, sipas Tabakut, nuk e zbusin dot as postimet me “emoji” në rrjetet sociale.
Ajo shtoi se zhvlerësimi i euros me rreth 30% dhe inflacioni i lartë në ushqime kanë tkurrur edhe më shumë xhepat e qytetarëve, duke e bërë varfërinë pjesë të përditshme të jetës.
“Është fakt: shqiptarët sot janë më të varfër. Shqipëria sot është më e varfër, sepse është e vjedhur,” përfundoi Tabaku, duke akuzuar qeverinë se ka humbur çdo lidhje me realitetin, “në një vend ku shifrat rriten, por frigoriferi zbrazet.”






