Një tjetër dosje me erë konflikti interesi dhe përplasje politike po qarkullon në opinionin publik.
Sipas denoncimit të gazetarit Almer Toska, kompania ALBANIAN STEVEDORING COMPANY (ASC) shpk ka fituar në korrik 2025 një tender me vlerë mbi 800 mijë euro nga Porti i Durrësit, me objekt “Marrje me qera reachstacker dhe kamiona për Terminalin e Kontejnerëve”. Tenderi rezulton të jetë dhënë pa konkurrencë, në bashkëpunim me shtetasin Rrahim Çela.

Aktualisht, kompania ASC është në pronësi 100% të Lorin Hoxhës nga Durrësi. Por historia e aksioneve të saj ngre pikëpyetje.
Në janar 2019, Reshard Këlliçi – vëllai i Belind Këlliçi – bleu 5% të aksioneve të kompanisë SIAC (NIPT J61819503G), e cila në atë kohë zotëronte 80% të aksioneve në ASC. Përmes kësaj strukture, Reshard Këlliçi rezultonte përfitues indirekt nga veprimtaria e ASC, kompani e lidhur ngushtë me operimet në Portin e Durrësit.
Në shkurt 2021, Reshard Këlliçi ia dhuroi aksionet Lorin Hoxhës, vëllai i Luis Hoxhës, i përmendur në media si pronar i një rrjeti call centerash. Emri i Luis Hoxhës është lakuar si i afërt shoqërisht dhe politikisht me Belind Këlliçin.
Ndërkohë, në vitin 2021, Reshard Këlliçi rezulton i punësuar si këshilltar ligjor në Albgaz, shoqëri në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës të drejtuar nga Belinda Balluku. Në varësi të së njëjtës ministre është edhe Porti i Durrësit.
Po ashtu, Instituti i Ndërtimit – gjithashtu në varësi të ministrisë – drejtohej deri pak muaj më parë nga Artan Shkreli, vjehrri i Belind Këlliçit. Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Anna Shkreli, rezulton përfituese fondesh publike nga disa ente shtetërore.
A kemi të bëjmë me një rrjet marrëdhëniesh familjare dhe institucionale që ndërthuren me tendera publikë?
Deri më tani nuk ka reagim zyrtar nga palët e përmendura. Por në një kohë kur çështjet e konfliktit të interesit dhe transparencës janë nën lupën e drejtësisë, kjo dosje kërkon sqarime të plota institucionale.






