Prapaskenat që nuk po i tregon askush
Ndërkohë që SHBA-të dhe administrata e Presidentit Donald Trump kanë intensifikuar përpjekjet kundër pastrimit të parave të karteleve të drogës, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, Shqipëria vazhdon të konsiderohet një vend me ekspozim të lartë ndaj këtij fenomeni. Pak ditë më parë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko, theksoi publikisht se rritja e kostos së qirave është një nga faktorët kryesorë që ka ushqyer inflacionin në rritje.
Ky paralajmërim u mbështet edhe nga të dhënat e INSTAT. Më 10 nëntor 2025, institucioni publikoi Indeksin e Çmimeve të Konsumit për muajin tetor, ku rezulton se grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” ka dhënë kontributin më të madh në rritjen vjetore të çmimeve, me +0,87 pikë përqindje. Krahasuar me tetorin e vitit 2024, rritja më e ndjeshme pikërisht në këtë kategori ka arritur 4,3%. Ndërkohë, indeksi i përgjithshëm i çmimeve në tetor 2025 arriti 120,3 pikë, krahasuar me dhjetorin e vitit 2020. Vetëm qiratë, në këtë hark kohor, rezultojnë të jenë rritur me rreth 112,6%.
Të dhënat e CENSIT 2023 tregojnë se vetëm në Tiranë ka mes 44 000 dhe 46 000 banesa të pashfrytëzuara. Po në kryeqytet jetojnë rreth 283 000 familje, nga të cilat deri në 62 000 qëndrojnë me qira – rreth 21% e totalit. Aktualisht, sipas të dhënave të INSTAT, një apartament i marrë me qira në Tiranë kushton mesatarisht rreth 650 euro në muaj.
Si arsye për rritjen e pandalshme të qirave, qeveria – përfshirë edhe Kryeministrin Edi Rama – shpesh ka përmendur rritjen e kërkesës për apartamente që jepen me AirBnB. Por sa qëndron ky argument? A është vërtet AirBnB nxitësi kryesor i rritjes së kostove për familjet, apo po përdoret si një kanal i ri për pastrim parash, duke deformuar të gjithë tregun e qirave?
Sipas platformës AirDNA, në Tiranë janë të regjistruara rreth 6 500 njësi akomodimi për AirBnB. Nëse i krahasojmë këto me rreth 46 000 banesa bosh, rezulton se vetëm pak mbi 10% e tyre përdoren për këtë lloj shërbimi.
Edhe të dhënat mbi turizmin nuk përputhen me teorinë e mbingarkesës së kërkesës. Edhe sikur në Tiranë të hynin çdo ditë 20 000 turistë, do të nevojiteshin po aq shtretër për akomodim ditor. Aktualisht, kryeqyteti ofron mbi 40 000 shtretër në hotele, bujtina dhe apartamente AirBnB – pra dyfishin e asaj që do të kërkohej mesatarisht.
Këto të dhëna ngrenë pikëpyetje të forta mbi shpjegimet zyrtare. Në fakt, gjithnjë e më shumë duket se tregu i AirBnB mund të jetë duke u përdorur si mjet për pastrim parash dhe manipulim të çmimeve, duke e rritur artificialisht koston e jetesës për mijëra familje shqiptare, veçanërisht për çiftet e reja që kërkojnë të krijojnë një shtëpi në kryeqytet.






