Dyshime për nivel të lartë toksinash

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka njoftuar tërheqjen urgjente nga tregu të produktit “EnerBiO Dinkel Waffeln Natur”, biskota me origjinë nga Gjermania që tregtoheshin në supermarketet “Rossmann & Lala” në Shqipëri.

Sipas njoftimit zyrtar, kjo masë është ndërmarrë pas kërkesës së kompanisë gjermane “Dirk Rossmann GmbH”, për shkak të dyshimeve për tejkalim të nivelit të lejuar të mykotoksinave në produkt.

AKU bën me dije se subjekti “Rossmann & Lala” ka reaguar menjëherë duke nisur tërheqjen e plotë të produktit nga tregu si masë parandaluese. Biskotat janë larguar nga të gjitha pikat e shitjes në vend, pa dallim të loteve apo datave të skadencës.

“Kanë tejkalim të nivelit të mykotoksinave”, thekson AKU, duke ngritur shqetësime për sigurinë ushqimore.

Mykotoksinat janë substanca toksike që prodhohen nga disa lloje myqesh dhe mund të përbëjnë rrezik për shëndetin e konsumatorëve nëse janë mbi normat e lejuara.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e konsumojnë këtë produkt nëse e kanë blerë, ndërsa vijojnë procedurat e verifikimit dhe kontrollit për zbardhjen e plotë të rastit.