U arrestua për pastrim parash

U arrestua për pastrim parash, APP përjashton Darin Gëzdarin

Agjencia e Prokurimeve Publike ka vendosur të përjashtojë për 1 vite nga tenderat dhe kontratat publike shoqërinë “Information Business System-IBS” të zotëruar nga Darin Gëzdari. Sipas njoftimit të APP, ndaj shoqërisë është marrë masa e përjashtimit për shkak se ka mashtruar shtetin.

“Procedimi administrativ ndaj operatorit ekonomik “Information Business System-IBS” shpk, ka nisur, mbi bazën e kërkesës së OST, i cili ka kërkuar përjashtimin e këtij operatori nga e drejta për të fituar kontrata publike, për paraqitje dokumentacioni me të dhëna të rreme, sipas parashikimeve të nenit 78/1/a të Ligjit të Prokurimeve,” thuhet në vendimin e APP-së.

U arrestua për pastrim parash, APP përjashton Darin Gëzdarin

Vendimi i APP per perjashtimin nga tenderat

Sipas APP-së, në përfundim të procedimit administrativ të nisur ndaj kësaj kompanie, u arrit në konkluzionin se ndodheshim në kushtet e nenit 78/1/a të Ligjit të Prokurimeve.

“Me Vendimin Nr. 10 date 02.3.2026, APP ka vendosur të përjashtojë për 12 (dymbëdhjetë) muaj, operatorin ekonomik “Information Business System-IBS” shpk, me NUIS J61820057C, nga e drejta për të fituar kontrata publike, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi,” sqaron APP.

Arresti në vitin 2024
Në dhjetor të vitit 2024, Prokuroria e Tiranës arrestoi Darin Gëzdarin dhe bashkëpunëtoren e tij, Arlinda Marku, me akuzën e pastrimit të parave.

“Këta dy persona u ndaluan pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar një skemë të mirëfilltë kriminale për transferimin e parave nëpërmjet transaksioneve bankare duke përdorur kompani guaskë në shtetet e parajsave fiskale si Qipro, Giblartar, Maltë, etj. Këto para transferoheshin në shtetin shqiptar në shoqëri të krijuara në mënyrë fiktive, dhe më pas transferoheshin në shtetin kanadez, i gjithë ky aktivitet i dyshuar kriminal është kryer në funksion të pastrimit të produktit të veprës penale,” tha prokuroria në njoftimin zyrtar të arrestimit.

Sipas prokurorisë, dy shtetasit në fjalë kishin pastruar mbi 11 milionë euro në periudhën 2021-2022. Pas arrestimit Gëzdari u lirua nga gjykata, por procesi ndaj tij vazhdon. Burime nga Prokuroria e Tiranës i thanë Kapitalit se dy personave në fjalë u është komunikuar akuza dhe së shpejti do të çohen për gjykim.