Në fokus TPL dhe Kartoni Jeshil
Autoriteti i Konkurrencës pritet të nisë një hetim të ri në tregun e sigurimeve në vend, duke e vendosur këtë sektor në fokus të vëmendjes për shkak të dyshimeve mbi mënyrën si funksionon konkurrenca.
Kreu i Komisionit të Konkurrencës, Denar Biba, ka konfirmuar se ky treg do të jetë objekt i një procesi hetimor në vijim, në përgjigje të kërkesave të vazhdueshme nga Komisioni Kuvendor për Ekonominë, Financat dhe Punësimin. Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje konkrete mbi shtrirjen apo afatet e këtij hetimi.
Në qendër të vëmendjes mbetet veçanërisht segmenti i sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta (TPL), një treg që prej kohësh ka ngritur dyshime mbi nivelin real të konkurrencës dhe mënyrën e përcaktimit të çmimeve.
Një projektrezolutë e hartuar vitin e kaluar nga Komisioni i Ekonomisë, megjithëse nuk u miratua nga Kuvendi, kishte kërkuar hetim të thelluar për produktet TPL dhe Kartonin Jeshil. Dokumenti parashikonte analizimin e praktikave që mund të kenë ndikuar në kufizimin e konkurrencës, përfshirë fiksimin e çmimeve dhe shkëmbimin e informacionit mes kompanive të sigurimit.
Sipas këtij dokumenti, hetimi duhet të përfshijë edhe ndikimin e mundshëm të këtij shkëmbimi informacioni në sjelljen tregtare të operatorëve, si dhe të identifikojë çdo formë koordinimi të çmimeve apo ndarje tregu.
Një tjetër shqetësim lidhet me përdorimin e mundshëm të platformave digjitale apo algoritmeve për harmonizimin e çmimeve dhe shpërndarjen e të ardhurave mes kompanive, çka nëse vërtetohet, do të përbënte një shkelje serioze të rregullave të konkurrencës.
Nga ana tjetër, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka mbajtur një qëndrim më të kujdesshëm, duke vlerësuar më herët se tregu i sigurimit të detyrueshëm motorik paraqet një nivel të pranueshëm konkurrues. Sipas këtij institucioni, natyra e rregulluar dhe standardizuar e këtij produkti ndikon drejtpërdrejt në mënyrën e funksionimit të tregut.
Megjithatë, vlerësimi përfundimtar mbi ekzistencën e praktikave anti-konkurruese mbetet kompetencë ekskluzive e Autoritetit të Konkurrencës.
Ky nuk është rasti i parë që tregu i sigurimit TPL vihet nën lupë. Edhe më parë janë zhvilluar hetime, por problematikat e identifikuara janë adresuar kryesisht përmes rekomandimeve ndaj institucioneve përkatëse.
Hetimi i ri pritet të japë një pasqyrë më të qartë mbi funksionimin real të këtij tregu dhe të përcaktojë nëse praktikat e ndjekura nga kompanitë kanë cenuar konkurrencën dhe interesat e konsumatorëve.






