Situata degradoi kur punonjës të kompanisë “2A”, e lidhur me Valon Ademin, penguan hyrjen e stafit të “Mabco” në ambientet e kantierit. Përplasja fizike u konsiderua nga burime pranë projektit si kulmi i një tensioni të akumuluar prej kohësh mes ortakëve të aeroportit.
Por pas skenave të dhunës në terren, qëndron një histori shumë më e rëndë. Sipas dokumenteve dhe shkresave zyrtare të administruara nga palët, investitori kryesor i projektit pretendon se është përjashtuar gradualisht nga vendimmarrja, ndërsa institucionet shtetërore akuzohen se po mbështesin hapur një ortak që zotëron vetëm një përqindje minimale të aksioneve.
Përfaqësuesit e investitorit mazhoritar pretendojnë se nuk janë lejuar të marrin pjesë në takim dhe se janë larguar me forcë nga ambientet, ndërkohë që aty ndodheshin edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore që mbikëqyrin projektin.
Në komunikimet zyrtare drejtuar qeverisë, kompania “Mabco” pretendon se institucionet në mënyrë indirekte kanë legjitimuar kontrollin e projektit nga pala minoritare.
Pikërisht këtu nis edhe dyshimi më i madh: Pse një investitor që ka financuar pjesën dërrmuese të projektit pretendon se është lënë jashtë, ndërsa mbështetja institucionale po anon nga një ortak me pjesëmarrje simbolike?
Në dosjet hetimore të SPAK përmenden lidhje familjare dhe partneritete biznesi që sipas kritikëve krijojnë një zinxhir ndikimi mes politikës dhe interesave private.
Në qendër të këtyre lidhjeve del emri i Arbër Abazit, i afërm i ish-deputetit socialist Sadri Abazi dhe fitues i disa tenderëve publikë me vlerë të lartë. Sipas të dhënave të bëra publike, ai ka lidhje familjare me rrethin e Belinda Ballukut dhe njëkohësisht raportohet të ketë partneritet biznesi me Imer Ademin, babain e Valon Ademit. Nipi i ish-deputetit socialist Sadri Abazi, është bashkëjetuesi i kushërirës (vajzës së tezes) së Belinda Ballukut.






