Plaurent Shushku, i njohur për publikun si Rati, ka ndarë një rrëfim të ndjerë për bisedën e fundit që ka pasur me Shpat Kasapin, duke zbuluar detaje që i konsideron sot si peng.

Ai tregoi se Shpati i kishte folur me entuziazëm për rikthimin e këngëve të vjetra, të cilat synonte t’i sillte në një frymë më moderne. Madje, sipas Ratit, ata po bashkëpunonin ngushtë dhe një këngë e re ishte thuajse e përfunduar. “Kam mbetur me peng që nuk shkova ta takoja, edhe pse më ftoi në biznesin e tij”, u shpreh këngëtari.

I njohur si një nga artistët më të kërkuar në evente dhe dasma, Rati foli gjithashtu pa filtra për mitin e parave “lumë” në dasmat shqiptare. Me nota humori, ai sqaroi se realiteti shpesh është ndryshe nga ajo që shfaqet në video. “Duken bukur në pamje, por në të vërtetë nuk janë aq shumë. Zakonisht janë kartëmonedha 1-dollarëshe dhe na lodhin duke i sistemuar”, rrëfeu ai, duke ironizuar perceptimin e krijuar në publik.