Si do të funksionojë skema dhe kush përfiton nga “Paqja Fiskale”?
Nga 1 janari 2026, qeveria pritet të zbatojë një amnisti të gjerë fiskale, ku të gjitha detyrimet tatimore të papaguara, direkte apo indirekte, që i përkasin periudhave tatimore deri më 31 dhjetor 2014, do të fshihen plotësisht. Projektligji që i hap rrugë këtij procesi të quajtur “Paqja Fiskale”, përjashton vetëm kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat nuk amnistohen.
Çfarë fshihet nga detyrimet para vitit 2014?
Sipas draftit, shuhen:
Tatime, taksa dhe tarifa të papaguara
Gjoba dhe kamatëvonesa për këto detyrime
Përjashtim: kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore
Megjithatë, nëse tatimpaguesi ka paguar principalin, por ka ende vetëm gjobat dhe kamatëvonesat, ato falën plotësisht.
Detyrimet nga periudha 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019
Drafti parashikon dy opsione lehtësimi për tatimpaguesit:
Falet 50% e detyrimit tatimor, nëse pjesa tjetër 50% paguhet brenda datës 30 qershor 2026.
Falet 25% e detyrimit, nëse 75% e mbetur paguhet me këste mujore deri më 31 dhjetor 2026.
Në të dy rastet: gjobat dhe kamatëvonesat fshihen 100%.
Edhe këtu, nëse principalet janë të paguara dhe kanë mbetur vetëm gjoba/kamata, ato falen plotësisht.
Detyrimet 2020 – 2024
Për këtë periudhë, drafti parashikon:
Fshirje të gjobave dhe kamatëvonesave, me kusht që tatimi/taksa/tarifa të paguhet brenda 31 dhjetor 2026.
E njëjta logjikë zbatohet edhe për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, me kusht që të paguhet 100% i kontributit.
Cilat detyrime fshihen pavarësisht periudhës?
Sipas projektligjit, shkrihen gjithashtu detyrimet për:
Tatimpagues të çregjistruar në QKB ose në administratën tatimore deri më 31.12.2024
Gjobat e llogaritura automatikisht për mosdeklarim në afat, përfshirë deklarimet e të punësuarve
Gjobat për deklarata të padorëzuara deri më 31.12.2024, me kusht që të dorëzohen deri më 30.06.2026
Gjobat për dorëzim të vonuar të pasqyrave financiare
Penalitetet nga ndryshimi i listëpagesave për periudhat e kaluara ose nga zbatimi i vendimeve gjyqësore me efekt prapaveprues
Kush përfiton nga “Paqja Fiskale”?
Përfitues janë:
Persona fizikë
Biznese të vogla dhe të mëdha
Persona të vetëpunësuar, përfshirë në bujqësi
Subjekte të çregjistruara
Objektiv i qeverisë
Qëllimi i paketës fiskale është të:
ulë stokun e borxhit tatimor të pambledhur
formalizojë ekonominë
krijojë kushte më të favorshme për bizneset
Afatet kryesore për t’u mbajtur mend:
30 qershor 2026 → afati për skemën 50% / 50% dhe dorëzimin e deklaratave të padorëzuara
31 dhjetor 2026 → afati për shlyerjen e detyrimeve të mbetura dhe fshirjen e gjobave/kamatave






