Bleona Qereti ka ndarë disa detaje personale dhe profesionale nga jeta e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke folur hapur për angazhimin dhe eksperiencën e saj atje.
Artistja ka zbuluar se ka qenë e përfshirë në fushatën presidenciale në SHBA, ku ka punuar kryesisht me komunitetin shqiptar që jeton në Amerikë. Sipas saj, synimi ka qenë që Shqipëria dhe shqiptarët të kenë më shumë vëmendje dhe përfaqësim në strukturat amerikane.
Bleona ka folur gjithashtu për raportin që ka sot me politikën dhe politikanët shqiptarë, duke theksuar se ka vendosur kufij të qartë në marrëdhëniet e saj personale dhe profesionale.
“Jam jashtëzakonisht krenare për këtë moment. Shqipëria është një vend i vogël dhe, kur nuk ke mbështetje apo forcë që të shtyn përpara, askush nuk gjen kohë të të dëgjojë. Qëllimi im ka qenë ta fus Shqipërinë në administratën amerikane. Shqiptarët duhet të besojnë te Amerika, jo vetëm si shtet, por edhe si koncept”, u shpreh ajo.
Më tej, Qereti foli në emisionin “Top Story”edhe për izolimin që shpesh vjen si pasojë e pavarësisë së saj: “Shumë njerëz nuk më telefonojnë më, sepse unë i kam vendosur kufijtë herët. Nuk më bie telefoni nga politikanë, as nga meshkuj. Kam dashur të jem e lirë dhe ndoshta kam shkuar në ekstrem. Nganjëherë, telefoni duhet të bjerë”.






