Çmimet e pasurive të paluajtshme në Tiranë vijojnë të rriten, duke e bërë strehimin gjithnjë e më të paarritshëm për qytetarët. Sipas të dhënave të platformës ndërkombëtare Numbeo, një familjeje apo individi në kryeqytet i duhen mesatarisht rreth 18 vite për të blerë një apartament, 2.5 vite më shumë se në vitin 2024.

Kjo rritje lidhet si me vijimin e shtrenjtimit të çmimeve, ashtu edhe me inflacionin që ka gërryer fuqinë blerëse të shqiptarëve.

“Nuk kemi njohur as rënie të kërkesave dhe as rënie të çmimeve,” u shpreh Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA, Shoqata Kombëtare e Agjencive të Pasurive të Paluajtshme.

Tirana, më e papërballueshme se kryeqytetet e Rajonit

Në krahasim me kryeqytetet e tjera të Ballkanit, Tirana renditet në vendin e parë për kohën më të gjatë të nevojshme për të blerë një shtëpi.

  • Në Podgoricë, një qytetari i duhen mesatarisht 11.3 vite;

  • në Shkup, 13.7 vite;

  • në Prishtinë, 14.4 vite;

  • në Sarajevë, 15.4 vite;

  • ndërsa në Beograd, 16.3 vite.

Pra, edhe pse çmimet për metër katror në disa prej këtyre qyteteve janë më të larta se në Tiranë, niveli më i ulët i të ardhurave në Shqipëri e zgjat ndjeshëm kohën e nevojshme për të blerë një banesë.

“Krahasimi me vendet e tjera të Rajonit është pak subjektiv, pasi tregjet ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. Çmimet, struktura e të ardhurave dhe mundësitë e financimit nuk janë të njëjta, prandaj këta tregues duhen parë në kontekst lokal,” shtoi Pipiria.

Tirana, më e shtrenjtë edhe se qytete të pasura të botës

Sipas Numbeo-s, Tirana “konkurron” denjësisht me kryeqytetet e vendeve më të zhvilluara në aspektin e përballueshmërisë së strehimit. Për të blerë një banesë në kryeqytetin shqiptar, kërkohet më shumë kohë se në Bernë (Zvicër), Berlin (Gjermani), Nju Jork (SHBA), Sidnej (Australi) apo Rio de Zhaneiro (Brazil).

“Kjo nuk lidhet domosdoshmërisht me çmimet absolute, që mund të jenë më të ulëta se në këto qytete, por me të ardhurat më të vogla të qytetarëve tanë. Sfida për të siguruar strehim të qëndrueshëm mbetet reale dhe e ndjeshme,” – shtoi më tej drejtori i NAREA.

Një sfidë që kërkon politika të reja

Blerja e një apartamenti në Tiranë mbetet një sfidë afatgjatë për shumicën e qytetarëve, që përballen me çmime në rritje dhe të ardhura të kufizuara.

Ekspertët e tregut kërkojnë politika të reja për akses më të lehtë në strehim, kredi me kushte më fleksibël dhe zhvillime urbane të qëndrueshme, që do ta bënin kryeqytetin më të përballueshëm për të rinjtë dhe familjet shqiptare./A2CNN