Deputeti Erion Braçe ka ngritur shqetësimin për bllokimin e një segmenti të trotuarit në Njësinë Administrative nr. 7 në Tiranë, duke e lidhur këtë situatë me ndërtimin e një rezidence që i dedikohet stafit diplomatik të Kinës në Shqipëri. Sipas tij, projekti është duke u realizuar nga vetë pala kineze, ndërsa një pjesë e hapësirës publike është përfshirë brenda perimetrit të objektit përmes murit rrethues.

Përmes publikimeve në rrjetet sociale, Braçe ka ndarë pamje nga terreni dhe ka kritikuar ngushtimin e ndjeshëm të trotuarit, duke theksuar vështirësitë që hasin qytetarët në lëvizje. Ai nënvizon se kalimi është bërë thuajse i pamundur në kushte normale, sidomos për kategori të caktuara si prindërit me karroca fëmijësh.

“Mirëmëngjes nga Tirana, Njësia 7. Në terren, si deputet i gjithë Tiranës, në betejën për hapësirën publike dhe trotuaret. Kjo këtu është një leje ndërtimi për një rezidencë me mur rrethues në favor të Republikës Popullore të Kinës. Ka marrë një pjesë të trotuarit publik, shiheni. Kur ma thanë nuk e besova. Edhe pse e kuptoj fuqinë dhe madhësinë e Kinës, thashë nuk ka mundësi. Por në këtë vend është e vërtetë që ka një fuqi që edhe të huajt i bën të sillen si ne. Në Kinë nuk do e bënin, këtu e bëjnë që ç’ke me të. Trotuari, siç është katandisur, të krijon mundësi të ecësh në njëshkolonë. Ose do përplasesh me murin, ose me pemën, ose me makinat. Nënat me karrocat e fëmijëve as që bëhet fjalë të kalojnë. Dhe janë plot 150 hapa gjatësi që janë katandisur kështu. Nuk kam më fjalë për çfarë po ndodh me ndërtimin në Tiranë. Ky shembull mi mori të gjitha. Kina, eeej! Por një pyetje do e bëj ama: A ndërton kush më në këtë qytet pa i rënë në qafë hapësirës publike?”, shkruan Braçe.

Sipas tij, ky rast përbën një shembull domethënës të mënyrës se si ndërhyrjet urbane po cenojnë hapësirat publike në kryeqytet, duke sjellë pasoja të drejtpërdrejta në përditshmërinë e qytetarëve.