Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila ka mohuar ekzistencën e një karteli që përcakton çmimet e karburanteve në Shqipëri.

Në një intervistë për një media, Braçe u shpreh se është e dukshme që kompanitë në tregun e hidrokarbureve veprojnë në mënyrë të koordinuar, duke vendosur të njëjtat çmime në të njëjtën kohë në të gjithë vendin.

Sipas tij, mënyra se si ndryshojnë çmimet në pikat e karburantit tregon qartë një sjellje të koordinuar mes kompanive.

“Është evidente. Në momentin që çmimi ndryshon brenda një dite dhe madje në të njëjtën orë në të gjitha pikat e karburantit dhe rezulton i njëjtë, çfarë është kjo? Kjo është sjellje e koordinuar,” u shpreh Braçe gjatë intervistës.

Deputeti socialist theksoi se një situatë e tillë ndodh zakonisht në tregje të përqendruara, ku disa kompani të mëdha dominojnë tregun dhe ndikojnë drejtpërdrejt në formimin e çmimeve.

Ai shtoi se është e vështirë të kuptohet pse institucionet shtetërore pretendojnë se nuk ka prova për ekzistencën e një karteli në tregun e hidrokarbureve.

Sipas Braçes, një tjetër element problematik është fakti që çmimet e naftës, benzinës dhe gazit në territorin e Shqipërisë varen nga një kompani ndërmjetëse, të cilën ai e përshkroi si një “broker”.

Deputeti ngriti pikëpyetje mbi logjikën e funksionimit të këtij sistemi dhe ndikimin që mund të ketë në konkurrencën e tregut dhe në çmimin që paguajnë qytetarët për karburantet.

Debati për mënyrën e formimit të çmimeve të karburanteve në vend është rikthyer disa herë në qendër të vëmendjes publike, ndërsa akuzat për ekzistencën e një karteli në tregun e hidrokarbureve kanë qenë të përsëritura edhe më herët.