Bota është përfshirë nga një krizë energjetike brenda pak javësh, pas përshkallëzimit të luftës në Lindjen e Mesme dhe goditjes së një prej nyjeve kryesore të furnizimit global.
Në fund të shkurtit, tregjet e naftës dukeshin të qëndrueshme, por sulmi amerikano-izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt ndryshoi gjithçka. Rreziku i bllokimit të Ngushticës së Hormuzit – ku kalojnë rreth 20 milionë fuçi naftë në ditë – u bë real.
Brenda ditësh, sulmet me dronë dhe raketa ndaj anijeve paralizuan trafikun detar. Më 2 mars, kalimi në Hormuz u bë praktikisht i pamundur, duke shkaktuar goditjen e parë të madhe në sistemin global të energjisë.
Reagimi i tregjeve ishte i menjëhershëm. Më 9 mars, çmimi i naftës Brent kaloi 100 dollarë për fuçi, duke u afruar me 120 dollarë. Kriza nuk ishte më vetëm frikë për mungesë, por një bllokim real i furnizimit. Vendet e Gjirit u përballën me pamundësi eksporti, ndërsa prodhimi në Irak ra me rreth 60%.
Përpjekjet për të përdorur rrugë alternative rezultuan të pamjaftueshme, ndërsa vendet e industrializuara ndërhynë më 11 mars duke liruar 400 milionë fuçi nga rezervat strategjike. Megjithatë, efekti ishte i kufizuar dhe çmimet mbetën të larta.
Në këtë situatë, Rusia doli përfituese. Rritja e çmimeve dhe lehtësimi i përkohshëm i shitjeve sollën të ardhura shtesë miliardëshe për Moskën.
Kriza u zgjerua më tej edhe në tregtinë globale. Sulmet në Ngushticën Bab al-Mandab detyruan anijet të devijojnë rrugët, duke rritur kostot dhe vonesat në furnizime.
Goditja ndaj kompleksit të gazit Ras Laffan në Katar më 18 mars shtoi rrezikun për furnizimin me gaz, duke e kthyer krizën nga afatshkurtër në strukturore.
Në Evropë, liderët pranuan rritjen e kostove dhe nisën rishikimin e politikave energjetike, duke shtyrë për më shumë prodhim vendas dhe alternativa si energjia bërthamore.
Kriza aktuale tregon varësinë e fortë të ekonomisë globale nga disa pika kyçe furnizimi dhe rrezikun që çdo ndërprerje në këto nyje të ketë pasoja të menjëhershme dhe të gjera./ Përshtatur nga Le Monde






