IBAR, Raporti i Vlerësimit të Piketave të Ndërmjetme për Shqipërinë, nuk është miratuar as në mbledhjen e fundit të zhvilluar në Bruksel mes përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ky dokument konsiderohet një nga elementët kyç të procesit të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

IBAR lidhet drejtpërdrejt me dy nga kapitujt më të rëndësishëm dhe më të ndjeshëm të procesit negociues, Kapitullin 23 dhe Kapitullin 24, të cilët fokusohen në sundimin e ligjit, pavarësinë e sistemit të drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.

Refuzimi i miratimit të IBAR nga vendet anëtare të BE-së në mbledhjen e fundit shihet si një sinjal se ende nuk ka konsensus të plotë mbi përmbushjen e kushteve nga Shqipëria për avancimin në procesin e integrimit.

Ky dokument është i domosdoshëm për vijimin drejt mbylljes së kapitujve negociues, ndërsa mungesa e tij mund të sjellë ngadalësim të procesit dhe shtyrje të hapave të ardhshëm, duke e mbajtur vendin në një fazë pritjeje institucionale.

Në vijim priten mbledhje të tjera më 19 dhe 22 maj, të cilat mund të jenë vendimtare për ecurinë e procesit.

Debati për integrimin evropian ka përfshirë edhe skenën politike në vend, ku mazhoranca këmbëngul se Shqipëria ka përmbushur kriteret dhe synon mbylljen e kapitujve negociues deri në fund të vitit 2027, ndërsa opozita e lidh mungesën e miratimit të IBAR me çështje të brendshme politike dhe qëndrimin e qeverisë ndaj hetimeve të SPAK.