Nga sakrifica te shpresa: 2025 viti i Luginës, 2026 drejt statusit politik

Viti 2025 është cilësuar si “viti i Luginës”, ndërsa për vitin 2026 shpresat lidhen me ndërkombëtarizimin e çështjes dhe afrimin drejt një zgjidhjeje të statusit politik. Kështu vlerësohen zhvillimet e fundit që prekin shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, një rajon historikisht i ndjeshëm në Ballkan.

Sipas vlerësimeve të bëra nga veprimtarë të angazhuar të kësaj krahine, viti 2025 dhe fillimi i vitit 2026 përbëjnë një moment kyç për komunitetin shqiptar në këto tre komuna. Pas dekadash të tëra të shoqëruara me sfida, sakrifica dhe përpjekje të vazhdueshme për mbrojtjen e identitetit kombëtar, dinjitetit njerëzor dhe të drejtave themelore, çështja e shqiptarëve të Luginës ka nisur të dëgjohet më fuqishëm në arenën ndërkombëtare.

Veprimtari nga Bujanoci, Refik Hasani, në një prononcim për “Bota sot”, ka theksuar se viti 2025 ka qenë një vit i vështirë, por njëkohësisht historik për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë shënuar zhvillime të rëndësishme në planin ndërkombëtar, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e zërit të kësaj krahine përtej kufijve lokalë dhe rajonalë.

Hasani ka shtuar se një nga momentet më të rëndësishme të vitit 2025 ka qenë ngritja e çështjes së Luginës së Preshevës në Kongresin Amerikan. Ai ka vënë në dukje se për herë të parë është miratuar një Rezolutë që denoncon hapur diskriminimin ndaj shqiptarëve të kësaj zone, duke theksuar njëkohësisht domosdoshmërinë për gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme për statusin e tyre politik dhe institucional.

Sipas tij, ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të çështjes dhe krijon pritshmëri konkrete që viti 2026 të jetë një vit shprese dhe avancimi real drejt zgjidhjes së problemit të kahershëm të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.