‘Misteri’ izraelit dhe bordit drejtues
Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar licensimin e Jet Bank, një institucion financiar që synon të funksionojë plotësisht në mënyrë digjitale, duke u bërë banka e parë e këtij lloji në vend.
Shoqëria është themeluar në Shqipëri në shtator të këtij viti, me një kapital fillestar prej 3.5 milionë lekësh të rinj. Pronar dhe themelues i bankës është Idan Avishai, shtetas me dy shtetësi, izraelite dhe britanike.

Në krye të administratës do të jetë Fatbardha Rino, një figurë e njohur në sektorin financiar shqiptar. Ajo ka mbajtur më parë poste drejtuese në banka të nivelit të dytë dhe ka qenë edhe drejtoresha ekzekutive e Iute Pay, duke sjellë përvojën e saj në drejtimin e Jet Bank.

Anëtarë të tjerë të bordit janë Oliver Hemmer dhe Rami Solomon, gjithashtu me origjinë izraelite, të cilët do të mbështesin strategjinë dhe menaxhimin e bankës.

Me miratimin paraprak të licensës, Jet Bank ka filluar përgatitjet për të operuar në treg, duke planifikuar një kapital prej 35 milionë lekësh të vjetra. Institucioni ka kohë deri në 12 muaj për të përmbushur të gjitha kërkesat ligjore dhe rregullatore, duke përfshirë infrastrukturën teknike dhe strukturën organizative, para se të marrë licencën përfundimtare.
Megjithatë, një kërkim i thjeshtë në internet tregon se emrat e pronarit dhe administratorëve janë pothuajse të panjohur jashtë këtij projekti, duke lënë hapësirë për pyetje mbi identitetin e plotë dhe qëllimet e bankës digjitale në Shqipëri.







