Apartamentet arrijnë deri në 1350 euro për metër katror
Tregu i pasurive të paluajtshme në Korçë po përjeton një fazë të re zhvillimi, ku rritja e çmimeve po tejkalon ritmin e shitjeve. Edhe pse numri i transaksioneve mbetet relativisht i qëndrueshëm, vlera e pronave ka shënuar një rritje të ndjeshme vitet e fundit, duke arritur nivele rekord për qytetin.
Në zonat më të kërkuara, çmimi për metër katror i apartamenteve të reja luhatet nga 1050 deri në 1250 euro, ndërsa në pika premium arrin deri në 1350 euro. Rritja nuk ka kursyer as zonat periferike apo banesat e vjetra, ku çmimet janë shtuar mesatarisht me rreth 50 euro për metër katror.
Tregu mbështetet kryesisht nga disa kategori blerësish. Emigrantët vijojnë të kenë rol të rëndësishëm, sidomos gjatë sezonit veror, por kërkesa po vjen gjithnjë e më shumë edhe nga banorë të zonave rurale dhe qyteteve të tjera që e shohin Korçën si një alternativë tërheqëse për jetesë apo investim. Në të kundërt, çiftet e reja përballen me vështirësi të mëdha, duke u detyruar të mbështeten pothuajse plotësisht te kreditë bankare.
Rritja e çmimeve të shitjes ka reflektuar drejtpërdrejt edhe në tregun e qirave. Ato janë rritur me rreth 40%, duke e kthyer qiradhënien në zgjedhjen kryesore për shumicën e qytetarëve. Një apartament që më parë kushtonte rreth 20 mijë lekë në muaj, sot nuk gjendet nën 35 mijë lekë.
Si pasojë, rreth 80% e kërkesës në treg është për qira, pasi blerja e një prone po bëhet gjithnjë e më e paarritshme. Me këtë ritëm rritjeje, posedimi i një shtëpie në Korçë po kthehet në një luks, ndërsa për shumë familje, një pjesë e madhe e të ardhurave shkon për strehim.






