Rriten çmimet e karburanteve në vend, pas vendimit të fundit të marrë nga Bordi i Transparencës në mbledhjen e zhvilluar këtë të premte, më 3 prill 2026.

Sipas vendimit zyrtar, çmimi i shitjes me pakicë për naftën e standardit SSH EN 590 është përcaktuar në maksimum 224 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë në 212 lekë për litër.

Ky ndryshim lidhet me zbatimin e një Akti Normativ të miratuar së fundmi, i cili parashikon uljen e akcizës me 20%. Në total, kjo përkthehet në një efekt prej rreth 9.5 lekë për litër, përfshirë edhe TVSH-në, megjithatë çmimi final për konsumatorët rezulton më i lartë se më parë.

Ndërkohë, për benzinën është vendosur që çmimi maksimal me pakicë të jetë 181 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë 169 lekë për litër.

Deri më 3 prill 2026, nafta tregtohej me 218 lekë për litër, çka do të thotë se vendimi i ri sjell një rritje të menjëhershme për këtë nënprodukt, ndërsa çmimi i benzinës mbetet i pandryshuar.

Autoritetet kanë bërë me dije se çmimet e reja hyjnë në fuqi që nga ora 20:00 e kësaj dite dhe do të mbeten të vlefshme deri në një vendim të ri të Bordit, në varësi të zhvillimeve të tregut.

Gjithashtu, është theksuar se çdo operator që nuk zbaton këtë vendim do të përballet me masa të rënda, deri në pezullimin e aktivitetit. Institucionet përgjegjëse kanë deklaruar se mbeten të angazhuara për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.