Deputeti i PS-së, Erion Braçe, ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën se si funksionon tregu i karburanteve në Shqipëri, duke deklaruar se rritja e fundit e çmimit të naftës është bërë përmes një mesazhi të dërguar në telefon tek pikat e karburantit.

Gjatë mbledhjes së KomisioniT për Ekonominë dhe Financat, Braçe tha se ndryshimi i çmimit është bërë një ditë më parë rreth orës 16:00, përmes një SMS-je që, sipas tij, u është dërguar përgjegjësve të pikave të furnizimit në të gjithë vendin.

Sipas deputetit socialist, çmimet më të larta të naftës regjistrohen te pikat e karburantit të markave të njohura, ku një litër shitet nga 198 deri në 202 lekë. Ai theksoi se prej katër vitesh këto kompani duket se kanë vendosur si objektiv që çmimi të mos bjerë kurrë nën nivelin e 200 lekëve për litër.

Braçe deklaroi se po përpiqet të mbledhë mesazhet që janë dërguar për të provuar se ndryshimet e çmimeve bëhen në mënyrë të koordinuar dhe nën ndikimin e Shoqatës së Hidrokarbureve, të cilën e akuzoi se funksionon si një kartel në tregun e karburanteve.

Sipas tij, në disa raste mesazhet nuk dërgohen vetëm nga drejtuesit e kompanive të karburanteve, por edhe nga zyrtarë të kësaj shoqate, veçanërisht për pikat e furnizimit që nuk janë të lidhura me marka të mëdha.

Deputeti socialist theksoi se problemi kryesor nuk qëndron vetëm te tregu i pakicës, por te mënyra se si funksionon tregu i shumicës së karburanteve në vend. Ai argumentoi se modeli aktual i tregut ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme.

Sipas Braçes, kompanitë nuk blejnë më naftë drejtpërdrejt në bursë, por përmes një ndërmjetësi të vetëm – një broker – që sjell karburantin në Shqipëri dhe e depoziton në rezervuarët e kompanive. Më pas, sipas tij, kompanitë e blejnë produktin nga këto depo dhe e shesin me çmimin e ditës.

Braçe theksoi se ky model ka eliminuar avantazhet e kontratave afatgjata për blerjen e karburanteve, pasi përfitimet nga blerjet në bursë me afate më të gjata i kalojnë ndërmjetësit. Sipas tij, ky broker nuk është i regjistruar si entitet tatimor në Shqipëri dhe nuk figuron në sistemin fiskal shqiptar.

Deputeti shtoi gjithashtu se disa faktorë ekonomikë që normalisht do të duhej të ndikonin në uljen e çmimeve nuk po reflektohen në treg. Ai përmendi zhvlerësimin e euros dhe dobësimin e dollarit në raport me monedhat e tjera, elementë që zakonisht ndikojnë në koston e importit të karburanteve.

Megjithatë, sipas Braçes, struktura aktuale e tregut nuk lejon që këto ndryshime të reflektohen në çmimet që paguajnë qytetarët në pikat e karburantit.

“Unë vazhdoj të insistoj te tregu i karburanteve, me thënë të drejtën, dhe jo thjesht tek veprimi juaj, por tek modeli i tregut që ata kanë ndërtuar prej katër vitesh, po flas prej katër vitesh. Po, ato janë çmimet dhe janë vendosur me një mesazh. Çmimi i naftës ka ndryshuar dje në orën 16:00 sipas një SMS-je të mbërritur në çdo përgjegjës pike karburanti.

Çmimi është më i lartë tek ato që janë të brenduara, pra çmimi më i lartë është ai 198-202 lekë, që këta e kanë sfidë personale. Kanë katër vjet që e kanë sfidë këtë 202 lekëshin; kur e patën para katër vitesh e kanë sfidë mos ta ulin nën 200 lekë dhe ta çojnë gjithmonë mbi 200 lekë.

E kanë ndryshuar me një SMS dhe unë po përpiqem shumë që ato SMS t’i mbledh dhe t’jua dërgoj dhe, mbi të gjitha, nën diktatin e një shoqate që garanton kartelin, që është Shoqata e Hidrokarbureve. Këto SMS nuk i dërgojnë thjesht drejtuesit e kompanive, por këto SMS, veçanërisht tek pikat e bardha, i dërgojnë zyrtarët e Shoqatës së Hidrokarbureve. Pra Shoqata e Hidrokarbureve funksionon si kartel për të garantuar rritjen e çmimeve në këtë rast.

Ju me të drejtë po monitoroni tregun e pakicës, por problemi është atje ku ju thashë, tek tregu i shumicës. Cili është modeli i tregut që zotërinjtë kanë ndërtuar? Këta nuk blejnë më naftë në bursë; këta blejnë nga një broker që e sjell naftën në territor. Është ky brokeri që vjen dhe e derdh naftën në depozitat e këtyre në periudha të ndryshme kohore dhe këta blejnë dhe shesin me çmimin e ditës që dalin nga depozita. Ky model tregu i ka hequr të gjitha avantazhet e blerjeve afatgjata të sasive të naftës, ose ia ka kaluar këtij brokeri, i cili nuk është entitet tatimor shqiptar dhe nuk është i regjistruar në organet tatimore shqiptare, i cili merr këto përfitime të blerjeve në afatgjatë.

Në bursë sot blen naftë ditore, 10-ditore, 30-ditore, 3-mujore dhe 6-mujore. Sot po të futesh në bursë, blen me këto afate dhe këto blerje në tregun shqiptar i bën ky broker. Madje këta kanë shuar fare parimin që duhet të funksionojë një depozitë.

Dollari është përtokë, pra transaksionet kryhen në dollar. Euro është zhvlerësuar, që është element i rëndësishëm tek çmimi, por kjo nuk është reflektuar sepse ky model tregu nuk e lejon këtë gjë”, tha Braçe.