Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ashpër lidhur me rritjen e çmimeve të fruta-perimeve në Tirana, duke e cilësuar situatën alarmante pas një vëzhgimi të drejtpërdrejtë në terren.
Ai shprehet se ka mbetur i tronditur nga çmimet e afishuara në disa pika shitjeje buzë rrugës, ku produktet bazë po tregtohen me kosto shumë të larta për konsumatorët.
Sipas tij, domatet variojnë nga 300 deri në 340 lekë për kilogram, ndërsa domatet e vogla të importuara arrijnë deri në 640 lekë/kg. Speci i kuq shitet me rreth 340 lekë/kg, ndërsa karrotat luhaten nga 140 në 150 lekë për kilogram.
Braçe thekson gjithashtu se edhe produkte të tjera nuk bëjnë përjashtim nga rritja: patëllxhani, sipas tij “pa cilësi”, ka arritur në 320 lekë/kg, bizelet po tregtohen me 480 lekë/kg dhe mashurkat deri në 600 lekë për kilogram.
Deputeti e cilëson këtë situatë si një abuzim të hapur, duke ngritur shqetësimin se një pjesë e tregtarëve që operojnë në trotuare nuk lëshojnë kupon tatimor. Ai shton se çmimet e evidentuara janë regjistruar në pikat më të lira të tregtimit, çka nënkupton se në zona të tjera ato mund të jenë edhe më të larta.
Në reagimin e tij, Braçe kritikon edhe mungesën e ndërhyrjes nga autoritetet vendore. Ai shprehet se prej një viti ka kërkuar nga strukturat përgjegjëse të lirojnë hapësirat publike të zëna nga tregtarët, veçanërisht në dëm të qytetarëve të moshuar.
Sipas tij, mungesa e reagimit ka krijuar një situatë të toleruar, ku jo vetëm cenohet hapësira publike, por qytetarët përballen edhe me çmime të pajustifikuara.






