Deklarata ndez rrjetin, teksa edhe partneri i saj nuk shihet askund

Dea Vieri hapi një diskutim delikat, por shpesh të komentuar në heshtje: kufirin mes ekspozimit në rrjetet sociale dhe ruajtjes së privatësisë personale.

Ajo theksoi se jo çdo figurë publike ka detyrimin të ndajë me ndjekësit çdo aspekt të jetës private, sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhëniet sentimentale.

Biseda u ndal veçanërisht te vajzat e showbizit shqiptar dhe zgjedhja e tyre për të mbajtur larg vëmendjes publike partnerët. Gjatë diskutimit, Dea hodhi një deklaratë ironike që u përhap me shpejtësi dhe nxiti reagime të shumta:

“Shumica e vajzave shqiptare nuk i publikojnë në rrjetet sociale të dashurit e tyre, sepse (Zot më fal) por i dashuri kërkohet nga Interpoli. Tani, atë tjetrin e kërkon Interpoli dhe ajo ta postojë në Instagram? Nuk ka sens.”

Në mënyrë ironike, ndërsa Dea Vieri flet hapur në “Wake Up”, për arsyet pse shumë personazhe të njohura zgjedhin të mos ekspozojnë jetën sentimentale, por edhe vetë ajo ndjek të njëjtën linjë diskrecioni.

Profili i saj në Instagram pasqyron udhëtime luksoze, momente të kuruara dhe pamje idilike nga destinacione të ndryshme, por personi që mund ta shoqërojë në këto përvoja mbetet gjithmonë jashtë fokusit.

Asnjë foto, asnjë video dhe asnjë detaj që të zbulojë identitetin e tij. Mesa duket, për Dea Vierin, kufijtë e privatësisë nuk janë thjesht temë diskutimi, por një parim që ajo e zbaton me përpikmëri.