Shoqata e Verbërve të Shqipërisë ka reaguar ashpër ndaj gjuhës diskriminuese të përdorur në Big Brother VIP Albania 5 ndaj konkurrentit të verbër, Stenaldo Mëhilli, ku verbëria u cilësua si “dënim” apo “mallkim nga Zoti”.
Në deklaratën e saj, Shoqata thekson se përdorimi i një gjuhe të tillë nuk mund të justifikohet si debat apo pjesë e lojës televizive, por përbën një shkelje të rëndë të dinjitetit njerëzor, e cila ushqen paragjykime, bullizëm dhe përjashtim social ndaj personave me aftësi të kufizuara. Sipas Shoqatës, kjo situatë bëhet edhe më problematike për faktin se transmetohet në një format me audiencë masive dhe ndikim të gjerë publik.
Shoqata e Verbërve të Shqipërisë kërkon distancim të qartë dhe publik nga kjo retorikë, një ndjesë të drejtpërdrejtë ndaj Stenaldo Mëhillit dhe komunitetit të personave me aftësi të kufizuara, si dhe zbatim të menjëhershëm të masave disiplinore, duke ndjekur parimin e “zero tolerancës” ndaj çdo forme diskriminimi.
Njëkohësisht, shprehet solidaritet i plotë me Stenaldon, i cili ka hyrë në këtë format si i barabartë me çdo konkurrent tjetër dhe ka dëshmuar se aftësia e kufizuar nuk e zbeh vlerën, dinjitetin apo kapacitetin e një individi.
Në përfundim, Shoqata i bën thirrje Top Channel dhe produksionit të Big Brother VIP që ta trajtojnë këtë ngjarje me përgjegjësi serioze publike, duke e kthyer atë në një moment reflektimi dhe edukimi shoqëror, dhe jo në një incident që kalon pa pasoja.
Deklarata e plotë:






