Donald Trump ka lëshuar kritika të forta ndaj aleatëve të NATO për qëndrimin e tyre në lidhje me Iran.
Në një reagim të publikuar në platformën e tij Truth Social, ai theksoi se pa rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleanca humbet peshën e saj, duke e cilësuar atë si “një tigër prej letre”.
Trump riktheu kritikat ndaj vendeve anëtare, duke i akuzuar se nuk po tregojnë gatishmëri për t’u përfshirë në një përballje që synon ndalimin e ambicieve bërthamore të Iranit.
Sipas tij, edhe pse situata ushtarake mund të jetë në favor të Perëndimit dhe me rreziqe të kufizuara, aleatët fokusohen më shumë te pasojat ekonomike, veçanërisht te rritja e çmimeve të naftës, sesa te angazhimi konkret në terren.
Ai përmendi edhe çështjen strategjike të Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar se aleatët nuk janë të gatshëm të kontribuojnë për garantimin e lëvizjes së lirë në këtë zonë kyçe.
“Sapo beteja është fituar nga pikëpamja ushtarake, me shumë pak rreziqe për ta, ata ankohen për çmimet e larta të naftës që duhet të paguajnë, por nuk duan të ndihmojnë për hapjen e Ngushticës së Hormuzit,” deklaroi ai.
Në përfundim, Trump përdori tone të ashpra ndaj partnerëve ndërkombëtarë, duke i cilësuar ata si “frikacakë” dhe duke paralajmëruar se ky qëndrim nuk do të harrohet.






