Këngëtarja kërkon 15 milionë dollarë dëmshpërblim për përdorimin e fotos në fushatë marketingu
Dua Lipa ka ngritur një padi ndaj Samsung, duke e akuzuar gjigantin teknologjik për përdorim të paautorizuar të imazhit të saj në promovimin e produkteve elektronike.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, përfaqësuesit ligjorë të artistes kanë depozituar një kërkesëpadie prej 15 milionë dollarësh, ku pretendohet se kompania ka përdorur një fotografi të saj në paketimet e televizorëve që prej vitit të kaluar.
Në dokumentet e padisë thuhet se imazhi i këngëtares është shfrytëzuar në mënyrë të dukshme në një fushatë marketingu, pa miratimin e saj dhe pa asnjë formë kompensimi financiar.
Pasi është vënë në dijeni për këtë përdorim, artistja ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të shfrytëzimit të fotos së saj. Megjithatë, sipas avokatëve, kompania ka reaguar me indiferencë, duke refuzuar të tërhiqet.

“Fytyra e Lipës është përdorur për një fushatë marketingu masiv për një produkt konsumator, pa dijeninë e saj, pa kompensim dhe pa asnjë mundësi kontrolli apo ndërhyrjeje,” thuhet në padi. “Lipa nuk e ka autorizuar dhe nuk do ta kishte autorizuar këtë përdorim.”
Sipas dokumenteve, këngëtarja zotëron të drejtat e autorit mbi fotografinë në fjalë, e cila është realizuar në prapaskenë gjatë Austin City Limits Music Festival në vitin 2024.
Ky rast pritet të tërheqë vëmendje të gjerë në industrinë e muzikës dhe marketingut, pasi ngre shqetësime mbi përdorimin e imazhit të artistëve të njohur nga kompani të mëdha pa autorizim paraprak.






