Një situatë e pazakontë është regjistruar brenda shtëpisë së Big Brother VIP Albania, ku një video e publikuar në rrjete sociale ka nxitur reagime dhe diskutime të shumta mes ndjekësve të programit.

Në pamjet që po qarkullojnë online dëgjohen disa prej banorëve duke biseduar për kthimin e disa produkteve që më herët janë prezantuar në spektakël si dhurata për ta. Gjatë netëve “prime”, moderatori Ledion Liço prezanton shpesh surpriza për banorët, të ofruara nga marka të ndryshme dhe të paraqitura si dhurata brenda shtëpisë.

Megjithatë, në videon e bërë virale dëgjohen banorët Mateo, Brikena dhe Greta duke diskutuar për dorëzimin e disa bluzave të një prej brendeve të përmendura në emision. Nga biseda e tyre kuptohet se produktet nuk do të mbeten në përdorim të banorëve, por duhet të kthehen.

Dialogu i plotë i dëgjuar në video:

Mateo: Duhen dorëzuar pra…

Brikena: Okej, janë me një kolltuk, në dhomën e grimit, te ai kolltuku që ka plot tesha, janë të miat.

Mateo: Të gjitha ato që keni marrë me varëse? Ua sa turp për një bluzë…

Mateo: Pak se po i bëni reklamë falas po…

Në një moment të bisedës, dëgjohet edhe ndërhyrja e produksionit që u tërheq vëmendjen banorëve me fjalët: “Kujdes mikrofonin”.

Pamjet kanë shtuar dyshimet dhe diskutimet në rrjet lidhur me mënyrën se si funksionojnë marrëveshjet e marketingut brenda reality show-t, duke ngritur pikëpyetje nëse produktet e prezantuara si dhurata për banorët janë në të vërtetë pjesë e kontratave promocionale dhe jo dhurata përfundimtare për ta.