Çmimet e apartamenteve në Tiranë kanë ndezur debat të fortë mes ekspertëve të tregut dhe vetë qytetarëve, ndërsa pyetja kryesore mbetet: A do të vazhdojnë të rriten apo pritet rënie?
Skenari nuk duket optimist për tregun imobiliar. Agjentë dhe ekspertë paralajmërojnë lëkundje të forta në vitet që vijnë, madje disa flasin qartë për një “krizë të butë” të tregut të banesave.
10 mijë apartamente në shitje? “2026 do të jetë vit kritik”
Agjenti imobiliar Armand Shkëmbi, i ftuar në Opinion në Tv Klan, deklaroi se një valë e madhe pronash pritet të dalë në treg duke nisur nga janari 2026, gjë që mund të trondisë balancat e tregut.
Shkëmbi: “2026 do të jetë vit i vështirë për tregun imobilar. Shtatë mijë deri në 10 mijë prona do të dalin në shitje duke nisur nga janari 2026, që do vënë në vështirësi apartamentet që janë në shitje. Dalin, sepse pronarët kanë pritur që të paguajnë më pak taksa, që të dalin në treg e t’i shesin.”
Një ofertë kaq e madhe, sipas tij, do të krijojë presion për ulje çmimesh, sidomos në zonat ku ka stok të lartë të apartamenteve të pashitura.
Eksperti Muço: “Në 2027 çmimet bien. Paraja informale po e mban tregun pezull”
Ekonomisti Klodian Muço parashikon rënie të çmimit të banesave në Tiranë duke nisur nga viti 2027, duke argumentuar se tregu aktual është i fryrë artificialisht nga paratë informale.
Muço: “Do bien çmimet në Tiranë, jo në bregdet. Në 2027 flitet që vendi të marrë masa që paraja të kanalizohet në kanalet bankare. Ato vlerat 4 mijë, 5 mijë apo 2 mijë nuk i ble qytetari i thjeshtë, blihen me para që vijnë nga ekonomia informale—korrupsion, evasion, kriminale. Në momentin që shteti synon t’i kanalizojë në bankë, blerjet cash bllokohen dhe çmimet nuk kanë më ku të rriten.”
Sipas tij, sapo burimet informale të financimit të blerjeve të frenohen, tregu do të detyrohet të korrigjojë vlerat.
Zaloshnja: “Të gjithë duan qendrën, por realiteti shtyn drejt periferisë”
Agjentja imobilare Ilda Zaloshnja shpjegon se kërkesa e lartë për zonat qendrore nuk përputhet me buxhetet reale të qytetarëve, duke theksuar se periferia po bëhet gjithnjë e më shumë zgjidhja e vetme.
Zaloshnja: “Ne duam të gjithë të rrimë te ‘Kali i Skënderbeut’, por nuk është më e mundur. Të gjithë me makina lëvizin edhe për të blerë bukën.”
Kundërshtia e Barabara Dodës: “Edhe periferia është bërë e paarritshme”
Por ky argument nuk e bind të gjithë. Barbara Doda sjell shembuj konkretë të çmimeve në periferi, duke treguar se edhe aty çmimet janë jashtë mundësive të shtresës së mesme.
Doda: “Ky nuk është argument… Unë nuk mund ta ble pa hipotekë, jam shtresë e mesme. Në Fresk 1070 euro/m², në Astir 2330 euro, në Kashar 1290 euro. Më thoni ku ta ble unë këtë pronë? Edhe unë dua ta ble në themel, po nuk e ble dot.”
Në një treg ku çmimet po rriten më shpejt sesa mundësia reale e blerjes, paralajmërimet e ekspertëve për vitet 2026–2027 po duken gjithnjë e më të besueshme. Dhe nëse masat kundër parasë informale nisin të zbatohen, tregu i apartamenteve në Tiranë mund të përballet me një nga rëniet më të mëdha të viteve të fundit.






