Pas përfundimit të mbledhjes së socialistëve, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Asamblenë e Partisë Socialiste në njësinë nr. 2 në Tiranë, ku u ndal tek nevoja për riorganizim të strukturave vendore dhe zhvillimet ekonomike në vend.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se fitoret politike nuk janë rezultat i rastësisë, por i një pune të planifikuar dhe të ndërtuar në kohë. Ai nënvizoi se Partia Socialiste i paraprin proceseve duke i projektuar dhe përgatitur ato shumë përpara të tjerëve.
Në këtë kuadër, ai bëri të ditur se është evidentuar nevoja për një ristrukturim të punës në nivel lokal, veçanërisht në Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, zhvillimi i pabarabartë i disa zonave ka nxjerrë në pah rëndësinë që ka organizimi i brendshëm, duke e cilësuar atë si elementin bazë për funksionimin efektiv.
Rama u ndal më tej te treguesit ekonomikë, duke vlerësuar rritjen e vazhdueshme të pagave, sidomos në sektorin privat. Ai theksoi se edhe në sektorin publik është ndjekur një politikë e qëndrueshme rritjeje, e shoqëruar me reforma që synojnë diferencimin e pagave në bazë të përvojës në punë.
Sipas tij, kjo qasje tashmë po zbatohet në disa kategori si mjekët, ushtarakët dhe mësuesit, duke reflektuar një sistem më të drejtë vlerësimi për kontributin ndër vite. Ai pranoi se këto ndryshime nuk kanë qenë të mundura më herët për shkak të kufizimeve buxhetore, por situata aktuale ekonomike ka krijuar hapësirat e nevojshme për t’i realizuar.
Në lidhje me pensionet, Rama deklaroi se ato janë përfshirë në një plan rritjeje afatmesëm katërvjeçar. Sipas këtij plani, çdo vit do të ketë një rritje progresive të pensioneve, ku shtesa vjetore do të vijë në rritje krahasuar me vitin pararendës. Ai theksoi se kjo është një tregues i drejtpërdrejtë i funksionimit më të mirë të ekonomisë dhe rritjes së kapaciteteve financiare të shtetit.
“Jemi në një situatë që, për të thënë të drejtën, me kënaqësi e shikojmë që pagat në sektorin privat vazhdojnë të rriten. Ndërkohë që ju e dini se pagat në sektorin publik janë rritur në mënyrë të vazhdueshme e përsëri kemi bërë rritje.
Tani kemi hyrë në një fazë siç kemi bërë me mjekët, p.sh., siç bëmë me ushtarakët, mësuesit. Po njohim paralelisht vjetërsinë në punë. Pra nuk është e njëjta pagë.
Këto gjëra janë gjëra normale, por nuk i bënim dot më përpara se nuk kishim kapacitet buxhetor.
Të njëjtën gjë mund të themi për pensionet. Tani pensionet kanë hyrë në planin e rritjes i cili është një plan katër vjet rresht, ku çdo vit pensioni, rritja do dyfishohet. Nëse këtë vit pensioni është rritur x, vitin tjetër nga janari do të jetë x herë dy. Pastaj vitin tjetër do të jetë x herë tre. Sepse na janë krijuar mundësitë. Kjo do të thotë se funksionon ekonomia“, tha ai.






