Eksperti i ekonomisë Ardian Civici thotë se ndërhyrja e qeverisë është arma kryesore për situatën në të cilën ndodhet vendi për shkak të koronavirusit.
I ftuar në “Arena”, Civici tha se ndihma e qeverisë deri më tani ka pasur një karakter më social, ndërsa me evoluimin e situatës duhet një ndërhyrje në raport me bizneset.
“Ndërhyrja e qeverisë është arma kryesore në këtë situatë. Kështu po bëjnë edhe shumë vende të tjera të botës, pasi gjithçka varen nga paketat e ndihmës së qeverisë. Janë dy paketa kryesore që kanë të bëjnë me konsumin dhe personat në nevojë, por menjëherë pasi kalon muaji i parë janë punonjësit të cilët kanë si burim kryesor të të ardhurave pagën e tyre mujore. Gjithë bizneset dhe shërbimit janë të mbyllura dhe vështirësia e bizneseve për të paguar pagat është e madhe.
Dhe mendoj se paketa e qeverisë ka qenë me karakter sociale, dhe ka filluar të shpërndahen ato që quhen pagat e luftës në raport me atë që kanë raportuar bizneset. Por sa më tepër evoluon situata tani kanë dalë në plan një paketë B me një këndvështrim më të gjithë që përtej nevojave të konsumit duhet të fillojë të mendojë për plotësimin e nevojave për likuiditet, por edhe mbështetje të formave të ndryshme”, u shpreh Ardian Civici, ekspert ekonomie.






