“Shqiptarët, të parët në kostot e karburantit”
Ekspertja e ekonomisë Irena Beqiraj ka reaguar ashpër për çmimet e larta të karburantit në Shqipëri, duke theksuar se qytetarët shqiptarë paguajnë ndër më shumë në Europë për një litër karburant. Në reagimin e saj, ajo ironizon deklaratat e zyrtarëve qeveritarë për taksën e qarkullimit, duke theksuar se ndërkohë që shqiptarët përballen me kosto rekord për karburantin, qeveria vazhdon t’u shpjegojë qytetarëve mënyrën se si funksionon kjo taksë.
Sipas Beqiraj, një shqiptar duhet të shpenzojë rreth 7.2% të të ardhurave ditore për të blerë një litër karburant, një nivel shumë më i lartë krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe të Bashkimit Europian. Ajo thekson se kjo përqindje është pothuajse dy herë më e lartë se ajo që paguajnë qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit dhe rreth 4.8 herë më e madhe se për një qytetar gjerman.
Ekonomistja thekson se situata bëhet edhe më e rëndë për shkak të mungesës së një transporti publik të shpejtë dhe efikas, çka i detyron qytetarët të përdorin automjetet private edhe për lëvizjet e përditshme. Në këtë kontekst, ajo kujton edhe deklaratat e bëra më herët nga përfaqësues të qeverisë për kufizimin e përdorimit të makinave.
Në reagimin e saj, Beqiraj ironizon edhe shpjegimet që janë dhënë për taksën e qarkullimit, duke thënë se ndërkohë që qytetarët paguajnë çdo ditë çmime të larta për karburantin, u mbetet vetëm të dëgjojnë se si u shpjegohet se kush qarkullon më shumë paguan edhe më shumë taksë.
Sipas saj, problemi kryesor nuk qëndron vetëm te taksat, por te struktura e tregut të karburanteve në vend. Beqiraj thekson se dy kompani kryesore dominojnë këtë treg, duke administruar zonën e lirë të licencuar nga shteti, duke kontrolluar rreth 62% të importit të karburanteve dhe duke zotëruar rreth 67% të tregut të shitjes me pakicë.
Në terma ekonomikë, kjo strukturë konsiderohet një oligopol vertikal, ku një numër shumë i kufizuar operatorësh kontrollon pothuajse çdo hallkë të zinxhirit të furnizimit dhe shpërndarjes. Sipas saj, në një situatë të tillë kompanitë kanë mundësi të ndikojnë në përcaktimin e çmimeve dhe fitimeve pa u përballur me një konkurrencë reale në treg.
Beqiraj thekson se kontrolli i tregjeve oligopoliste është përgjegjësi e shtetit, por shton se vendimet e marra ndër vite nga qeveritë e ndryshme kanë bërë që një pjesë e rëndësishme e aseteve strategjike të sektorit të hidrokarbureve të përqendrohen në duart e pak operatorëve kryesorë.
Sipas saj, në këto kushte, në vend që të trajtohet problemi i strukturës së tregut dhe mungesës së konkurrencës, qytetarëve u mbetet të dëgjojnë shpjegime për taksën e qarkullimit, të cilën – siç shprehet ajo – ata e paguajnë çdo ditë dhe e njohin shumë mirë.
Reagimi i plotë:
Po! Ka edhe çështje ku jemi të parët. Një shqiptari i duhet të harxhoj 7.2% të të ardhurave ditore për të marrë 1 litër karburant , gati 2 herë më shumë sesa çdo ballkanasi tjetër, edhe 4.8 herë më shumë se një qytetari gjerman .
Por nuk mjafton vetëm kostoja më e lartë e karburantit , por në mungesë të një trasporti publik të shpejtë edhe efiçent , ne që e blejmë karburantin më shtrenjtë se në gjithë Europën duhet të dëgjojmë me durim ministrat e qeverisë . Kujtoj që Balluku kur nisi lufta në Ukrahinë, me zërin e saj të kadifenjtë, që ka filluar të më mungojë, na këshillonte të mos dilnim me makinë për të blerë bukë apo cigare. Ndërsa mikesha ime Delina me fytyrë të prishur por me durim na shpjegoi , siç u shpjegohet fëmijëve të klasës së parë ,që kush qarkullon më shumë paguan më shumë taksë qarkullimi .
Ndërkohë që struktura e tregut ku dy kompani janë administratorët kryesorë të zonës së lirë të licensuar nga shteti, janë po ashtu dhe importuesit kryesorë (62%) si edhe zotërojnë 67% të shitjeve me pakicë , tregon që këto dy kompani janë përcaktuesit edhe të sasisë edhe të cmimit në treg.
Nuk duhet asnjë ministër financash ekonomie apo trasporti me universitet por mjafton një student gjimazi 17 vjeçar që po studion bazat e ekonomiksit që të kuptojë që kjo strukturë tregu quhet OLIGOPOL madje oligopol vertikal i shtrirë në çdo hallkë të shpërndarjes. Janë dy kompani që zotërojnë tregun në çdo hallkë të tij dhe mund të përcaktojnë çmimet edhe rrjedhimisht fitimet e tyre të pa shqetesuara nga asnjë lloj konkurence. Aq më pak nga taskë forca e Delinës që kushtet kur oligopoli fillon tek zona e lirë , i ngjan një shakaje naive që përsëritet edhe pse rezultatet janë të provuara .
Është detyra e qeverisë të kontrollojë tregjet oligopol , por për të qënë të drejtë deri në fund duhet thënë që ministrat tanë nuk kanë asnjë mundësi sot . Pasi vendimet e marra në vite nga socialistët edhe demokratët kanë dorëzuar një pjesë të mirë të aseteve strategjike kombëtare edhe të sigurisë kombëtare në duar të kompanisë kryesore të hidrokarbureve .
Në këto kushte në vend që të prishin oligopolin në hidrokarbure qeverisë i duhet të ndezë një qiri natë për natë e të lutet që tregëtari i fuqishëm i naftës ti ketë me sy të mirë . Ndërsa ne të gjorëve të na shpjegojë taksën qarkullimit që e paguajmë çdo ditë dhe e kuptojmë shumë mirë.







