Largohen edhe familjet e reja
Shqipëria po përballet me një krizë të thellë demografike. Të dhënat e publikuara nga Eurostat tregojnë se vetëm gjatë vitit 2024 rreth 44 mijë shqiptarë kanë emigruar drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Nëse shohim periudhën pas pandemisë, situata bëhet edhe më alarmante. Nga viti 2021 deri në 2024, të paktën 180 mijë persona janë larguar nga vendi. Këto shifra nuk përfshijnë emigracionin drejt Greqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, ku vala e largimeve kulmoi në vitin 2022.
Ikja dominohet nga të rinjtë
Struktura sipas grupmoshave tregon qartë se kush po largohet.
Grupi më i madh i emigrantëve në vitin 2024 ishte ai 25–29 vjeç, me mbi 6 mijë persona, ose 14.3% e totalit. Pas tyre renditen të rinjtë 30–34 vjeç, me rreth 13% të totalit.
Në total, 62% e të gjithë atyre që emigruan në vitin 2024 ishin nën 35 vjeç.
Kjo do të thotë se vendi po humb pikërisht moshën më aktive: të rinjtë që sapo kanë hyrë në tregun e punës, që krijojnë familje dhe që përbëjnë bazën e zhvillimit ekonomik.
Po ikin edhe familjet me fëmijë
Një tjetër tregues shqetësues është largimi i familjeve të reja. Fëmijët nën 15 vjeç përbënin rreth 18% të totalit të emigrantëve në 2024. Kjo tregon se nuk po ikin vetëm individë të rinj, por familje të tëra që zgjedhin të ndërtojnë jetën jashtë vendit.
Edhe grupmosha 35–49 vjeç, pra individë me përvojë dhe stabilitet profesional, përbënte rreth 20% të të larguarve.
Sipas të dhënave historike të INSTAT, mosha e emigrimit po ulet gradualisht. Në vitin 2019, grupi kryesor që emigronte ishte 30–34 vjeç. Sot pesha është zhvendosur më poshtë, tek 25–29 vjeç.
Shqipëria po plaket me shpejtësi
Largimi i të rinjve po reflektohet drejtpërdrejt në strukturën e popullsisë.
Sipas Eurostat, mosha mediane në Shqipëri arriti 44.3 vjeç në vitin 2025, shumë pranë mesatares së Bashkimit Europian prej 44.9 vitesh. Dhjetë vite më parë, në 2015-n, mosha mediane ishte vetëm 34.7 vjeç.
Kjo do të thotë se brenda një dekade Shqipëria është plakur me afro 10 vite në strukturën e saj demografike.
Lindjet në rënie dramatike
Kriza demografike thellohet edhe nga rënia e lindjeve.
Në fillim të viteve ’90, Shqipëria regjistronte mbi 82 mijë lindje në vit. Në vitin 2025, numri i lindjeve zbriti në 21,425 – rreth 74% më pak se në vitin 1990.
Shkalla e fertilitetit ka rënë në vetëm 1.21 fëmijë për grua, shumë poshtë nivelit të nevojshëm për zëvendësimin e popullsisë.
Kombinimi i tre faktorëve – emigrimi i të rinjve, plakja e popullsisë dhe rënia e lindjeve – e vendos Shqipërinë përballë një sfide ekzistenciale.
Migracioni neto mbetet thellësisht negativ
Sipas INSTAT, migracioni neto – diferenca mes atyre që kthehen dhe atyre që largohen – vijon të jetë negativ.
Në vitin 2024, migracioni neto arriti në rreth -43,761 persona, niveli më i lartë i regjistruar, edhe për shkak të korrektimeve nga Censi 2023. Në vitin 2025, treguesi mbeti sërish shumë i lartë, rreth -28,836 persona.
Kjo do të thotë se për çdo person që kthehet, më shumë se dy largohen.
Shifrat tregojnë qartë: Shqipëria po humb brezin e saj më të ri dhe më produktiv, ndërsa ritmi i plakjes po përshpejtohet. Nëse trendi vazhdon, pasojat ekonomike dhe sociale do të jenë të thella dhe afatgjata.






