Deputetja ngre alarmin

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka ngritur alarmin për një situatë që, sipas saj, ka paralizuar shërbimet digjitale të shtetit, duke goditur drejtpërdrejt bizneset dhe profesionistët e lirë. Ajo e përshkruan gjendjen si kritike, në një moment kur ekonomia dhe sipërmarrja varen gjithnjë e më shumë nga sistemet online.

Sipas Tabakut, infrastruktura e teknologjisë së informacionit në administratën publike është në bllokim total, çka po i lë qytetarët dhe bizneset pa akses në shërbimet bazë të tatimeve, institucioneve shtetërore dhe platformës e-Albania.

“Biznesi është futur në ngërç. Profesionistët e lirë po përballen me pasojat më të rënda”, u shpreh ajo.

Deputetja riktheu në vëmendje edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku u fitua beteja ligjore për profesionet e lira, një proces që përfshiu mbi 20 mijë profesionistë. Megjithatë, sipas saj, për shumë prej tyre problemet nuk janë zgjidhur, përkundrazi janë thelluar për shkak të një sistemi që nuk funksionon.

Tabaku thekson se sot profesionistët e lirë janë të paaftë të kryejnë edhe veprimet më elementare të përditshmërisë: nuk mund të lëshojnë fatura, të llogarisin shpenzime apo të analizojnë aktivitetin e tyre përmes platformave zyrtare të vetëdeklarimit.

“Është absurde që një profesionist i lirë apo një biznes i vogël, që punon gjithë ditën për të mbajtur familjen, të mos arrijë dot të nxjerrë as një faturë të vetme”, nënvizon ajo.

Sipas deputetes së PD-së, bëhet fjalë për tatimpagues korrektë, që përballen me taksa të rritura dhe kosto të larta fiskalizimi, por që në këmbim nuk marrin as minimumin e shërbimit nga shteti.

“Kjo është ajo që quhet ‘qeveria e shërbimeve’. Këto janë medaljet boshe që propaganda shpërndan”, deklaroi Tabaku, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi përgjegjësinë institucionale për këtë kolaps.

Ajo e përshkroi realitetin aktual si paradoksal: një vend që vetëquhet ‘Shqipëri digjitale’, por që nuk arrin të ofrojë as certifikata bazë për biznesin, duke iu përgjigjur sipërmarrjes vetëm me mesazhin “ERROR 404”. Sipas saj, dështimi i sistemeve digjitale po e çon biznesin drejt krizës dhe po gërryen besimin e qytetarëve tek shteti.