62.8 mln € shpenzim për 92 mijë megavat

Gjeneratorët lundrues të vendosur në triportin e Vlorës, Tigri 1 dhe Tigri 3, janë ndezur prej më shumë se një viti për të prodhuar energji elektrike. Megjithatë, deri në fund të nëntorit, ata kanë prodhuar vetëm 92 mijë megavat, një sasi dukshëm më e ulët se nevojat në rritje të konsumit.

Për të plotësuar kërkesën, KESH-i ka importuar rreth 2.7 milionë megavat energji nga jashtë gjatë nëntë muajve të fundit, sipas të dhënave të INSTAT. Sipas ankandeve të KESH, fatura totale e importit arrin rreth 222 milionë euro, me çmime që kanë luhatur mes 90 dhe 130 euro për megavat.

Në krahasim, prodhimi i energjisë në TEC-et lundruese ka rezultuar dukshëm më i shtrenjtë: mbi 151 euro për megavat. Referuar të dhënave të KESH, për dy gjeneratorët lundrues janë shpenzuar deri tani 62.8 milionë euro.

Shpërblimet për kompanitë që menaxhojnë TEC-et:

  • Excelerate Power dhe Renco: 32,998,715 USD për energjinë e prodhuar

  • RENCO: 14,893,200 USD për shërbimet e mirëmbajtjes

  • Lëndë djegëse: 15 milion euro për ndezjen e gjeneratorëve

Dy platformat lundruese mbërritën në Vlorë në shtator të vitit 2022, me qëllim të mbulonin rreth 15% të nevojave të konsumit vendas dhe një kapacitet prodhues prej 110 megavat orë energji elektrike. Megjithatë, kostot e larta dhe prodhimi i ulët kanë ngjallur kritika për menaxhimin e projektit dhe eficiencën e tij.