Gazetari investigativ italian, Nello Trocchia, i ftuar në emisionin “Oponencë”, ka analizuar marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për ngritjen e kampeve të emigrantëve të ndaluar në det gjatë tentativave për të hyrë në territorin italian.
Sipas Trocchia-s, kjo marrëveshje përbën një dështim të qartë në disa plane, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik, duke prodhuar pasoja të ndjeshme financiare për të dyja vendet e përfshira.
“Marrëveshja Itali-Shqipëri për refugjatët është një dështim i madh për të dyja palët. Italia ka shpenzuar më shumë se 1 miliard euro, ndërsa rreth 120 milionë euro shkojnë për Shqipërinë për të garantuar sigurinë”, u shpreh gazetari.
Ai theksoi më tej se, në vlerësimin e tij, kjo nismë ka qenë një zgjedhje e gabuar, si nga pikëpamja strategjike, ashtu edhe nga ajo ekonomike, duke lënë të kuptohet se vendimmarrja nuk ka qenë e mirëpeshuar.
“Unë besoj se kjo marrëveshje ka qenë një zgjedhje e gabuar nga ana e Giorgia Meloni dhe një pozicionim i gabuar politikisht”, deklaroi Trocchia.
Në analizën e tij, gazetari ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi ndikimin që kjo marrëveshje mund të ketë në rrugëtimin europian të Shqipëria, duke shtuar se edhe vetë Italia, sipas tij, nuk gëzon më të njëjtën peshë në arenën politike të kontinentit.
“Nuk e di nëse kjo marrëveshje e ndihmon Shqipërinë për anëtarësim në BE, sepse edhe Italia ka humbur peshën e saj në arenën europiane”, tha ai.







